Gjasula ëndërron Bajernin, ka për idhull Balakun
Dash Frashëri
Tiranasi i natyralizuar si gjerman, Jurgen Gjasula, luan qysh prej verës së vitit 2005 te zviceranët e St. Gallen. Por mesfushori i talentuar, i cili ka refuzuar përfundimisht Kombëtaren kuqezi (Bariç shpresonte ta bindte), ka dy “ëndrra në sirtar: të luajë për “Nationalmanchaft” (përfaqësuesen gjermane) dhe Bajernin e Munihut.
Ëndrra ime, Bajern Munih
Por ndërsa në mediat gjermane dhe ato franceze flitet me bujë për një transferim të mundshëm te Bajerni i Munihut i kapitenit shqiptar të Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, edhe 22-vjeçari Gjasula, djali i një kamerieri në Shqipërinë komuniste, e ëndërron një gjë të tillë. Lojtari i rritur te gjermanët e Frajburgut dhe në forcë me zviceranët e St. Gallen është konsideruar para disa kohësh nga shtypi gjerman si një lojtar me talent të madh (grosses Talent). “Futbolli në Gjermani ka një shije dhe vlerë tjetër, ai ndihet në çdo moment. Media është shumë prezente dhe të jep një përmasë tjetër. Në një të ardhme, unë dua të rikthehem në Bundesligë. St. Gallen duhet të jetë për mua si një trampolinë. Ekipi im i ëndrrave është Bajerni i Mynihut”, - thotë Gjasula, i cili ka luajtur në Gjermani për Frajburgun (një ish-ekip i Altin Rrakllit) dhe Kaisersaluternin (një ish-ekip i Ervin Skelës).
“Gjermania në gjysmëfinale”
Gjasula rrëfen edhe përjetimet e tij për Kampionatin Botëror të zhvilluar në Gjermani në vitin 2006, por edhe për Kampionatin Europian në Austri e Zvicër. “Kampionati Botëror ishte për Gjermaninë një sukses i madh. E çoi përpara futbollin gjerman. Për momentin, ekipi kombëtar dhe Bundesliga po kalojnë rezultate të mira dhe lojëra të bukura”, - thotë shqiptari. Në kampionatet e niveleve të ndryshme gjermane luajnë një dyzinë shqiptare apo nga trojet etnike, ku spikasin pesë lojtarët në Bundesliga 1: Lala (Hanover 96), Skela (Energi Kotbus), Kapllani (Karlsruhe), Toski (Eintraht Frankfurt) dhe Mavraj (Volfsburg). “Në Kampionatin Europian, Gjermania do të arrijë të paktën në gjysmëfinale. Së bashku edhe me Italinë e Francën, Gjermania është për mua një nga top-favoritet. Por edhe Spanja ka shanse për mua. Unë shoh shumë shpesh ndeshje nga Primera Division, pasi më pëlqen shumë arti dhe futbolli që shfaqet aty në futbollin spanjoll”.
“Idhulli im Mikael Balak”
Gjasula dallohet për finesën e tij, zgjuarsinë në lojë dhe pasin e tij të artë. “Gjermania merret si shembull për disiplinën e saj dhe shpirtin për të fituar deri në momentin e fundit. Ka shumë pak ekipe që luajnë një futboll teknik, por ka shumë skuadra të mira. Megjithatë, Gjermania mund të të bëjë të famshëm nëse do të kesh dëshirën e vullnetin. Lojtari im i dashur është Mikael Balak. Ai nuk është vetëm një fantazist i madh, ai është kapiteni i ekipit kombëtar të Gjermanisë, por dhe një lider absolut skuadre”, - thotë Jurgeni, emrin ia vuri babai pasi ishte tifoz i Jurgen Klinsmanit.
“Jo e lehtë në Zvicër”
“Unë kam kaluar të gjithë fëmijërinë dhe rininë time në Frajburg (atje ku shkëlqeu edhe Altin Rraklli). Nuk ishte shumë e thjeshtë, pasi në moshën 19-vjeçare u transferua në Zvicër”, - thotë Gjasula. “Unë mendoja se do të ishte më mirë në Zvicër, pasi dhe gjuha (gjermane) është e njëjtë. Pas transferimit, unë shkoja një herë në javë në shtëpi, por sot i vizitoj prindërit e mi dhe miqtë në Gjermani shumë më shpesh. Për një gjerman, në Zvicër nuk është e lehtë. Zviceranët kanë shumë paragjykime kundrejt gjermanëve. Se përse gjermanët mbahen për arrogantë, unë nuk e di. Ndoshta edhe për faktin se Gjermania në sport ka më shumë suksese se Zvicra. Në fillim ishte e pamundur të ambientohesha në Zvicër. Parasëgjithash unë pata probleme me zviceranogjermanët, por më pas çdo gjë u rregullua”, - tregon Gjasula.
Pango-Duka, skenarët për fitoren individuale
Nga Andi Nuraj
Dy ditët e ardhshme pritet të jenë dhe vendimtaret lidhur me të ardhmen e futbollit shqiptar. Ditën e enjte, në takimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, 21 përfaqësues të klubeve të futbollit do t’i kërkojnë zyrtarisht federatës mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme për situatën e krijuar. Presidenti Duka, pavarësisht se kjo sipas tij cenonte pavarësinë e federatës, ishte i gatshëm të mblidhte Asamblenë nëse do të depozitohej kërkesa e klubeve.
Por, përpara këtij takimi, pritet të ketë zhvillime të tjera që mund të jenë në disfavorin e Dukës. 24 orë përpara, përfaqësuesit e klubeve “rebele” mund të kenë një tjetër takim me ministrin Pango dhe ky i fundit mund ta detyrojë Dukën të përplaset edhe një herë në dyert e Ministrisë së Sporteve.
Në raundin e parë u duk qartë se shteti shqiptar nuk lëkundet nga kërkesat e tij ndaj institucionit të futbollit. Të shtunën, Duka arriti të ndalte bojkotin duke i bërë thirrje klubeve të jenë të bashkuar për të mirën e pavarësisë së futbollit shqiptar dhe të mos bien pre e ndërhyrjeve politike. Deri tani, pavarësisht takimeve me njëri-tjetrin, të gjitha palët janë të palëkundura në kërkesat e tyre. Federata kërkon të protestohet si një grup i vetëm ndaj presioneve, klubet rebele insistojnë të mblidhet brenda 15 ditëve Asambleja e Jashtëzakonshme ku pavarësisht se nuk u zbulua në takimin me Dukën do të kërkohet largimi i këtij të fundit. Në pozita më komode, pavarësisht se më i kritikuari nga media sportive, duket Pango.?????????????? Tashmë më i spostuar, ai pret me qetësi reagimin e vetë komunitetit të futbollit në zgjidhjen përfundimtare të këtij konflikti. Por, nëse fati është paracaktuar siç thuhet në librat e shenjtë, atëherë boll të kujtojmë se fituesi herën e fundit ishte Duka në raport me ish-ministrin Leskaj.
E habitshme, tiranasi Gërcaliu, shpresa e futbollit austriak
Ronald Gërcaliu, mbrojtësi 22-vjeçar i lindur në Tiranë, aktualisht në forcë me Austrinë e Vienës, është thirrur nga trajneri i Kombëtares austriake, Josef Hickersberger, për ndeshjen miqësore kundër Holandës së Marko van Bastenit, takim që do të luhet të mërkurën.
IMAZHI I SË ARDHMES
Tekniku 59-vjeçar Hickersberger është një i apasionuar pas shahut (ashtu si dhe ish-trajneri i Shqipërisë, kroati Oto Bariç) dhe një trajner i dashuruar pas surprizave taktike. Mbrojtësi energjik (181 cm), me pasaportë austriake, pas refuzimit të Shqipërisë, është edhe imazhi i së ardhmes së futbollit të Alpeve europiane.
BUM MENAXHERËSH
Ish-lojtari i Shturm Graz do të përpiqet të bëjë një prezantim dinjitoz në ndeshjen e tij të 10-të me përfaqësuesen austriake nisur dhe nga fakti se në stadiumin “Ernst Hapel”, përveç presidentit dhe kryeministrit austriak dhe 300 gazetarëve nga e gjithë bota, do të jenë të pranishëm zbulues e menaxherë nga Kroacia, Rumania, Franca dhe Skocia, po ashtu edhe të dërguar specialë të ekipeve si Birmingam, Kotbus, Këln, Mënshengladbah, Ipsuiç, Bllekbërn dhe Verder Bremen.
“DER ALBANER”
“Albaner” (shqiptari), siç thirret shpesh ai në shtypin austriak, debutoi me fanellën kuqebardhë të Austrisë në vitin 2005 nën urdhrat e trajnerit Hans Krankl, kandidati numër dy për bankinën shqiptare të lënë bosh nga Oto Bariç, por “violinisti” austriak, u mund nga holandezi Ari Han. Gërcaliu konsiderohet si një nga “österreichischen Hoffnungsspieler” (shpresat e futbollit austriak) për Kampionatin Europian 2008, që do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër.
Euro U-21, talentet shqiptare të kombëtareve të tjera
Ndërsa Shqipëria “e vogël” (e pezulluar nga FIFA dhe UEFA) nuk do të luajë ndeshjen e saj me Greqinë U-21, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U-21, e programuar për datën 26 mars në Vlorë, të tjerë futbollistë shqiptarë do të luajnë në Europë me fanellat e vendeve që ata kanë zgjedhur. “Albania” sjell një panoramë të shpejtë.
SULIMANI
Në formacionin e Shpresave austriake, të drejtuar nga trajneri Manfred Zsak, ndodhet shqiptari nga Maqedonia Emin Sulimani. Mesfushori i Austria Magna është një nga njerëzit që ndihmoi maksimalisht shkodranin Hamdi Salihi të integrohej në mënyrë perfekte me mentalitetin e futbollit austriak, kur të dy lojtarët ishin shokë skuadre te SV Ried. Sulimani, 2 gola me Austrinë e Vienës gjatë këtij sezoni, do të luajë nga minuta e parë kundër Sllovakisë U-21, ku austriakëve u mjafton vetëm një barazim pa gola për t’u kualifikuar për në fazën finale të Kampionatit Europian 2009 të U-21.
XHEMAILI
Blerim Xhemaili do të luajë me Zvicrën U-21 të mërkurën kundër Maqedonisë në Kumanovë ndeshjen e tij të pestë në kualifikuese të Kampionatit Europian. Sfida është shumë tërheqëse për lojtarin e Bolton Uonders në Angli pasi do të luajë kundër shtetit ku ka lindur dhe jetojnë të afërmit e tij. Ekipit të Pier-Andre Shyrman pas një fillimi të keq i duhet fitore me Maqedoninë (luajnë pesë shqiptarë për fqinjët tanë) për të zënë vendin e dytë pas Holandës dhe për shpresuar për një vend në finalet e Norvegjisë, ku do të marrin pjesë vetëm katër ekipet më të mira nga dhjetë vendet e dyta.
METAJ
Katër orë pas Xhemailit, një tjetër yll i ri i futbollit kosovar, Shkodran Metaj, do të zbresë në fushë në takimin e Shpresave Holandë-Estoni (ora 18:00). Lojtari i FC Groenigen shënoi edhe një gol në miqësoren e Holandë-Danimarkë për U-21 dhe konsiderohet si një lojtar me të ardhme, ku Ajaksi i njohur për gjuetinë e talenteve me të ardhme të sigurt nuk do të nguronte të investonte finaciarisht për një lojtar që në një të ardhme të afërt do të prodhonte miliona euro.
Fergi: “Frikë, vetëm nga Çelsi”
Kampionëve të Premier Ligës, Aleks Ferguson tha????????????????? se rivalët londinezë të Çelsit mbeten kërcënimi kryesor për rifitimin e titullit nga skuadra e tij. Fitorja e fundit e bluve të Avram Grent në derbin kryeqytetas çoi në 14 numrin e ndeshjeve pa humbje për Çelsin dhe e riktheu në garë për kampionatin.
Tashmë mes Mancester Junaitid dhe vendit të dytë ndodhen 5 pikë diferencë dhe Ferguson mendon se përballja e ardhshme në “Stemford Brixh”, më 26 prill, do të vendosë shumë. “Çelsi është e vetmja enigmë e titullit për ne. Kemi një transfertë të vështirë në Londër ku ekipi i Grent ka një rekord të jashtëzakonshëm”, - tha Sër Aleks.
Reali, koka e Shusterit në “tavë”
Rezultatet e dobëta të Realit të Madridit kanë bërë që dhe presidenti Kalderon të kërkojë një ndryshim të menjëhershëm për të evituar mbytjen finale. Në një takim me drejtorin sportiv, numri 1 i klubit galaktik ka kërkuar “kokën” e trajnerit Shuster për t’i dhënë fund krizës që po përjeton ekipi. Avantazh i reduktuar nga Barcelona, skualifikim nga kupa e Mbretit dhe një keqtrajtim nga Roma në ligën e Kampioneve, janë të mjaftueshme për t’u penduar për shkarkimin e Kapelos. Trajneri aktual Shuster ka humbur 9 herë vetëm në vitin 2007, ndërsa Kapelo kishte 8 disfata gjithë sezonin.
26 Mars 2008