Bashkia gjelbëron rrugën “Ndre Mjeda” në kryeqytet
Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë mbjellë 70 pemë dekorative në rrugën “Ndre Mjeda” në kryeqytet. Ndërmarrja Nr.1 e Punëtorëve të Qytetit nisi punimet në këtë rrugë për mbjelljen e pemëve të llojit rrap dekorativ. Gjatë kryerjes së punimeve mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke mbështetur këto aksione që ndihmojnë në rritjen e përmasës së gjelbër në kryeqytet. Sipas tij, kjo nismë i përgjigjet nevojave të komunitetit mes një zhvillimi të domosdoshëm dhe një mjedisi të domosdoshëm. “Mbjellja e pemëve mbetet gjithmonë një lajm i mirë për një Tiranë që ka nevojë të rrisë dita-ditës përmasën e gjelbër në një kryeqytet, ku pemët përfaqësojnë jo vetëm dëshirën për të jetuar në një mjedis më të mirë, por edhe kurajën për të parë një të ardhme të gjelbër për kryeqytetin dhe për komunitetin kryeqytetas”,- u shpreh Rama. Muajt janar dhe shkurt të këtij viti janë muajt përgjatë të cilëve do të përfundojë mbjellja e rreth 3000 pemëve dekorative të llojeve të ndryshme, si rrap, bli aromatik, gështenjë, manjolë, shkurre dekorative, etj, nëpër të gjitha hapësirat e planifikuara për gjelbërim në qytetin e Tiranës.
21 Janar 2009