Pagesa e paaftësisë, 8986 persona janë trajtuar vetëm në Tiranë
Rreth 8986 persona të paaftë janë trajtuar me pagesë paaftësie gjatë vitit 2008 në Prefekturën e Tiranës. Rritja e numrit të përfituesve të kësaj pagese, sipas drejtorit të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço, ka ardhur si pasojë e përmirësimeve ligjore që kanë zgjeruar kategoritë e përfituesve. Mihal Naço tha se përmirësimet legjislative kanë favorizuar kategori, të cilat nuk përfshiheshin më parë në skemë. Kështu është hequr kufiri 0-21 vjeç që kushtëzonte përfitimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara (PAK). Po ashtu, është hequr kufizimi që nga të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë përfitues vetëm ata persona me dëmtime të shtyllës kurrizore. Edhe përfitimi i kujdestarisë, që më parë kushtëzohej nga qenia e familjes në skemën e ndihmës ekonomike, tani është hequr dhe kujdestarinë e përfiton çdo individ që cilësohet si i tillë nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Një tjetër arsye që argumenton rritjen e numrit të kërkesave për të fituar statusin e personit me aftësi të kufizuar është ndërgjegjësimi i familjarëve të personave me aftësi të kufizuar për t’i deklaruar këta si të tillë e jo më për t’i fshehur.
21 Janar 2009