Matura Shtetërore 2009, do të ketë ndryshime vetëm për ankesat dhe monitorimet
Jonida Tashi
Matura Shtetërore 2009 do të pësojë disa ndryshime vetëm përsa i përket procesit të monitorimit dhe shqyrtimit të ankesave. Ky fakt konfirmohet zyrtarisht nga drejtori i Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Specialisti i politikave parauniversitare në MASH sqaroi dje për gazetën “Albania” se ndryshimet e propozuara për Maturën Shtetërore 2009, të cilat pritet të firmosen nga ministri i Arsimit, Fatos Beja, kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit. “Këto janë ndryshime të vogla, që kanë të bëjnë me monitorimin e zhvillimit të provimeve”, - shprehet drejtori Vejsiu.
Procesi
Ndërsa përsa i përket nisjes dhe përfundimit të procesit të Maturës Shtetërore 2009, Vejsiu sqaron se këtë vit do të ndiqet e njëjta procedurë me atë të vitit të shkuar, që nis me plotësimin e formularit A1. Plotësimi i këtij formulari është kushti kryesor që duhet të përmbushë një maturant për të marrë pjesë në provimet e Maturës. Drejtori i Politikave Parauniversitare bën të ditur se këtë vit do t’i jepet më shumë përparësi ankimimit të rezultateve nga maturantët. Duke marrë shkas nga situata e krijuar nga viti i kaluar, ku ankimimet e maturantëve për rezultatet e provimeve në pjesën më të madhe përfunduan në koshin e plehrave të çdo shkolle, pritet që këtë vit MASH-i të marrë masa për rishikimin e testit nga maturantët. Sipas rregullores së vjetshme të Maturës Shtetërore, çdo pjesëmarrës në provimet e Maturës, pas shpalljes së rezultateve të provimit, ka të drejtë të kërkojë një kopje të testit që ai ka zhvilluar me rezultatet përkatëse të vlerësimit.
Kërkesa
Për këtë, brenda shtatë ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit të Shqyrtimit të Maturës Shtetërore (KSHMSH) një kërkesë duke paguar një tarifë prej 400 lekësh për çdo kopje të testit në sekretarinë e shkollës. KSHMSH-ja, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i shqyrton ato rast pas rasti dhe i përcjell në KMSH-në pranë DAR/ZA-së, së bashku me një mandatarkëtimi të përbashkët për të gjithë kërkuesit, për llogari të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). KMSH pranë DAR/ZA shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandatarkëtimet përkatëse. AVA, pasi merr kërkesat, dërgon në KMSH të DAR/ZA fotokopjet e testeve të kërkuesve. KMSH e DAR-it/ZA-s i përcjell këto fotokopje te KSHMSH, i cili jep fotokopjen e tij kërkuesit. Çdo kërkues firmos për tërheqjen e fotokopjes së testit. Nisur nga procedurat e vlerësimit të testeve, vlerësimi i shpallur nga AVA, për çdo pjesëmarrës në provime, nuk do të rishikohet. E gjitha kjo procedurë një vit më parë rezultoi thjesht një pjesë e rëndësishme e rregullores së Maturës për maturantët, e cila nuk u vu në zbatim sipas tyre.
21 Janar 2009