Gjykata lë në burg bashkëshortin që ekzekutoi të shoqen
Tiranë - Gjykata e Tiranës vendosi dje arrest me burg për 39-vjeçarin që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, pak ditë më parë. E njëjta masë sigurie u kërkua nga prokurori i gatshëm për Shpëtim Zhllimën, lindur dhe banues në Tiranë. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje se i arrestuari nuk ka preferuar të flasë mbi ngjarjen. Pas vendimit të gjyqtarit, Zhllima është shoqëruar drejt ambienteve të paraburgimit për të qëndruar atje deri në përfundim të hetimeve. Shpëtim Zhllima është arrestuar tri ditë më parë si autor i dyshuar në vrasjen me armë të ftohtë, thikë, të bashkëshortes së tij, Nafije Zhllima, brenda banesës së tyre në Tiranë, pranë Spitalit Ushtarak. Pak pas ngjarjes, policia konfirmoi se Zhllima në momentin e kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur. Gjatë arrestimit, forcat e policisë i gjetën dhe i bllokuan atij, në cilësinë e provës materiale, armën e krimit. Sipas të dhënave hetimore, shkak i këtij krimi brenda familjes mendohet të jetë bërë një grindje mes dy bashkëshortëve.
21 Janar 2009