Bashkia guidë për turistët me vlerat artizanale
Bashkia e Tiranës synon hapjen e një faqe interneti dhe një guidë në formë libri për të huajt, ku do të jenë ekspozuar pikat më interesante të kryeqytetit. Por, e veçanta e promovimit të kësaj ideje është se të gjitha punimet artizanale, artistike dhe tradicionale, do të jenë të regjistruara me adresë dhe me pamje të objekteve. Të gjithë turistët që dëshirojnë të blejnë kultet tradicionale të shqiptarëve mund ta gjejnë nëpërmjet adresës së vendosur në guidën e hartuar nga bashkia. Ndërkohë që të gjithë artizanët shqiptarë do të kenë mundësinë të tregtojnë objektet e punuara me dorë. Kjo është një mundësi e mirë ekonomike që u ofrohet qytetarëve dhe njëkohësisht është një promovim i vlerave dhe njohjes së kulturës sonë kombëtare për të huajt. Mendohet se një strategji e tillë do të joshë më tepër turistët e huaj dhe do të mundësojë njohjen e kulturës së vjetër shqiptare dhe identitetin e vlerave në tërësi. Pjesë e saj, do të jetë çdo detaj si lokalet, restorantet, parqet, vendet e argëtimit etj. Gjithçka do të promovohet nëpërmjet projektit Info-points(“Pika Informimi për Tiranën”), e cila është në proces hartimi nga specialistët e bashkisë. Kjo njësi është konceptuar e tillë me qëllimin që të ofrojë informacion të gjithanshëm dhe të saktë mbi qytetin në mënyrë profesionale. Gjithashtu, nëpërmjet tyre, do të promovojë vlera të qytetit, dhe të sigurojë apo vërë në dispozicion të vizitorëve artikuj turistikë dhe suvenire. Kështu, pika e informimit turistik apo info-point do të funksionojë nëpërmjet guidave, fletëpalosjeve, hartave, albumeve, librave, apo botimeve të tjera, si dhe në mënyrë dixhitale nëpërmjet kompjuterit dhe lidhjes direkt me internetin. Lloji i informacionit do të jetë i natyrës turistike, ku të jenë prezantuar pikat atraktive, akomodimi, vendndodhjet dhe kontaktet me hotele, ushqimet, pazaret, transporti urban, ndër-qytetar, informacion mbi aktivitete kulturore, artistike, konferenca, Ëorkshop ; shërbime praktike, këshillim, etj. Njëkohësisht turistët do të mund të sigurojnë informacion të natyrës praktike, ku do të ketë adresa rrugësh, numra telefoni, orare, shërbime të ndryshme e këshillime, informacion për aktivitetet artistike-kulturore etj. Aktualisht, projekti është në fazën e përcaktimit të saktë të vendndodhjes së strukturave të projekti Info-point. Propozimet për vendosjen e pajisjeve të informimit favorizojnë akset kryesore të flukseve të lëvizjeve, por edhe vende të pajisura me platforma të gjera qëndrimi dhe shëtitjeje. Kështu, ndër alternativat e mundshme janë: Sheshi në veri të Kullës së Sahatit, Parku “Vëllezërit Frashri”, Sheshi “Ish Kafe Flora”, etj. Në zbatimin e këtij projekti, do të organizohet një Konkurs Ndërkombëtar Idesh për Projektimin e Strukturave të Pikave të Informimit (Info-point), i hapur për arkitektë të rinj dhe studentë arkitekture. Ky aktivitet do të pasohet me një ekspozitë ku do të prezantohen projekt-idetë e pjesëmarrësve në konkurrim.
26 Qershor 2009