Marrëdhëniet e inxhinierëve dhe arkitektëve në raport me entet publike
Sipas Kodit të Etikës, inxhinieret dhe arkitektët të cilëve ju është dhënë çfarëdo lloj forme autoriteti, si për administrimin e enteve publike të çfarëdo lloj tipi ose komisione të enteve publike, nuk mund të përdorin këto poste për të nxjerrë përfitime profesionale për vete ose për të tjerët. “Inxhinierët dhe arkitektët që punojnë në administratën publike duhet të mbrojnë instrumentet urbanistike dhe variantet e tyre në objektet me strukturë urbanistike nga sipërmarrje private, nga momenti i marrjes deri në aprovimin përfundimtar të detyrës. Kjo normë është edhe për ata profesionistë që kanë bashkëpunuar vazhdimisht ose që për herë të parë kanë raporte bashkëpunimi me administratën publike”,- thekson Kodi i Etikës. Gjithashtu sipas këtij kodi, inxhinierët dhe arkitektët që janë konsulentë të përkohshëm apo të përhershëm pranë administratës publike nuk mund të marrin përsipër detyra funksionale private a publike me objekt tjetër konsulence. Po i njëjti kriter është edhe për profesionistë që për herë të parë kanë raporte bashkëpunimi me administratën publike. Në ushtrimin e profesionit inxhinierët nuk mund të hedhin firmën si inxhinierë për kryerjen e aktivitetit të plotë apo të pjesshëm, për profesionistë apo persona të tjerë, jo të autorizuar nga ligji, që marrin përsipër përgjegjësi dhe aktivitete të njëjta me ta. Sipas këtij kodi, inxhinierët dhe arkitektët nuk duhet që me dijeninë e tyre të përfshihen në biznese apo praktika profesionale të natyrës së pandershme, jo etike dhe mashtruese.
Kodi Etik, si do të shmanget konflikti i interesit dhe korrupsioni
Kuadri ligjor përfshin edhe hartimin e Kodit të Etikës profesionale. Në të janë përcaktuar principet bazë mbi të cilat duhet të zhvillohet profesioni i inxhinierit. Janë përcaktuar rregullat themelore mbi të cilat inxhinieri do të ushtrojë profesionin si në aktivitetin privat dhe atë publik, rregullat themelore të etikës siç është ruajtja e reputacionit të profesionit të inxhinierit. “Janë përcaktuar rregullat se si duhet të veprojë inxhinieri gjatë gjithë veprimtarisë së tij në raport me klientët, punëdhënësit, publikun duke pasur parasysh etikën profesionale dhe tolerancën zero ndaj korrupsionit”, - thekson relacioni shpjegues. Gjithashtu në këtë material përfshihet edhe përparësia në detyrë ku është përcaktuar se çfarë konsiderohet si esenciale në kryerjen e punës së inxhinierit dhe që ai duhet të udhëhiqet në punën e tij, apo kryerja e shërbimeve inxhinierike brenda kufirit të kompetencave që i përkasin arsimimit, apo kualifikimit të tij. Madje, sipas këtij kodi, mund dhe duhet të bëjë deklarim për një punë të caktuar, si kusht i deklarimit publik, ku përcaktohet qartë se kur, si dhe çfarë deklaron inxhinieri. “Evitimi i konfliktit të interesit përcakton se si inxhinieri në ushtrimin e profesionit të tij të lirë apo i angazhuar në entet publik duhet të shmangë konfliktin e njohur apo të mundshëm të interesit”, - thekson relacioni. Sa i përket ngritjes profesionale inxhinierët gjatë gjithë karrierës duhet të jenë në kontakt me zhvillimet aktuale në fushën inxhinierike.
26 Qershor 2009