E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personat e aksidentuar tani mund të kurohen edhe në QSUT

Spitali i ri do të ofrojë shërbimin e Traumatologjisë, Imazherisë, Hematologjisë. Qendra me 180 shtretër. Pritet tenderimi për pajisjet shëndetësore

Emanuela Sako

Personat e aksidentuar në punë apo nga automjetet tani mund të kurohen edhe në QSUT. Tashmë kanë përfunduar punimet për ndërtimin e spitalit të ri 3-katësh dhe 1 kat i nëndheshëm, i cili do të ofrojë tre shërbime të tjera. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, përuroi përfundimin e punimeve, ku deklaroi se tashmë pritet vetëm pajisja me aparatura mjekësore. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë është në proces tenderimi për blerjen e pajisjeve dhe më pas do të hapen dyert për pacientët. Spitali pritet të jetë gati në fund të vitit, pasi Ministrja është shprehur se do të ketë vonesa me tenderat për shkak të procedurave të zakonshme .
Shërbimet
Në spitalin e ri do të ofrohen Shërbimi i Traumatologjisë, Imazherisë, Hematologjisë dhe do të priten rastet e urgjencave, për të cilat janë vendosur 30 shtretër. I gjithë spitali do të ketë 180 shtretër për pacientët, ku do të ofrohen të gjitha kushtet e hotelerisë, të cilat mungojnë në pavijonet e tjera të QSUT-së. Në këtë mënyrë do të shmanget mbingarkesa që ka pavijoni i të aksidentuarve në Spitalin Ushtarak, si dhe mbingarkesa që ka pavijoni i sëmundjeve infektive në QSUT. Kati i nëndheshëm i spitalit do të shërbejë për shtrimin e të prekurve nga sëmundjet epidemike dhe që janë të rrezikshme për përhapjen në popullatë.
“Në katin e nëndheshëm kemi Departamentin e Imazherisë, që do jetë i pajisur me mjetet më moderne të Imazherisë, bashkë me sterilizimin qendror. Në katin e parë, kemi të organizuar urgjencën. Pra, nuk do të kemi më ato probleme që kemi pasur të një ngushtice në periudhë epidemish në repartin e urgjencës. Kemi më pas shërbimin e reanimacionit, i cili gjithashtu do të jetë i një standardi të lartë, dhe kemi gjithashtu shërbimin e kirurgjisë me 30 shtretër”,- shpreh Godo.
Investimi
I gjithë investimi për ndërtimin e spitalit të ri kap shifrën e 53 milionë eurove, nga të cilat 37 % janë financuar nga qeveria shqiptare dhe 63 % nga banka e Këshillit të Europës. Rreth 30 milion euro janë investuar për ndërtimin e godinës dhe 20 milion për pajisjen e saj. Kapaciteti në total si shtretër është 180 për fazën e parë të spitalit, ndërkohë që me fazën e dytë do të ketë shtesë të shtretërve dhe pajisjeve. Pacientët do të mund të drejtohen për në këtë qendër në fund të vitit, ndërkohë që edhe këtë verë problemet me shtimin e aksidenteve do të përballohen nga Spitali Ushtarak. Po kështu, edhe urgjencat do të përballohen nga pavijoni ekzistues në QSUT, duke përfshirë edhe kushtet e vështira që janë aktualisht.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›