Poliklinikat, mungojnë dhomat e trajtimit për “urgjencat”
Poliklinikat nuk janë të pajisura me mjetet dhe dhomat e trajtimit të të sëmurëve nga probleme që shkaktohen nga temperaturat e larta. Pacientët janë të detyruar që për çdo rast të drejtohen në spitalet qendrore, ku ka fluks të lartë të të prekurve rëndë. Ndërkohë që, mjekët shprehen se është e nevojshme që poliklinikat të kenë një dhomë shtesë dhe pajisjet e duhura për ndihmën e parë. Në të mund të trajtohen rastet e të fikëtit, rastet e rënies së tensionit, të cilat nuk është e nevojshme të trajtohen në Spitalin Ushtarak apo në QSUT. Kështu, stina e verës nxjerr më në dukje problemet që ka shëndetësia dhe problemet shëndetësore që kanë qytetarët. Kjo për arsye se moti parashikohet të shoqërohet me temperatura të larta gjatë stinës së verës. Specialistët kanë deklaruar se vera e këtij viti do të jetë nga më të nxehtat. Për këtë arsye mjekët shprehen është e domosdoshme që pranë poliklinikave të krijohen dhomat e rehidrimit. Aktualisht këto dhoma nuk ndodhen në asnjë poliklinikë në kryeqytet. Në këto dhoma do të bëhej trajtimi i pacientëve me solucione me bazë kripe për të rimarrë lëndët që u kanë humbur në organizëm, për shkak të temperaturave të larta. Mjekët thonë se deri tani nuk ka filluar fluksi i madh, i cili pritet të shtohet gjatë ditëve të ardhshme, me ardhjen e valës së nxehtë. Të nxehtët që sapo ka filluar pritet të sjellë probleme shëndetësore tek shumica e njerëzve që vuajnë nga ndonjë sëmundje. Por mjekët këshillojnë që pacientët duhet të ndjekin këshillat e tyre dhe në këto raste problemet shëndetësore do të minimizohen. Pacientët do të njihen me këshillat nëpërmjet broshurave që do të ndodhen në poliklinika.
26 Qershor 2009