E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, rezultatet e Matematikës për gjimnazet e Tiranës

Penalizimet në provim, 70 maturantë në pritje të notës. Alfons Harizaj: “Testet po verifikohen për parregullsi”

Jonida Tashi

Shpallen zyrtarisht rezultatet e provimit të Matematikës, që ishte dhe provimi i dytë me detyrim i Maturës. Gazeta publikon notat që kanë marrë në këtë provim gjimnazistët e kryeqytetit. Por, ndërsa me mijëra maturantë në vend do të njihen sot me notën e Matematikës, për 70 prej tyre nuk ka dalë ende rezultati për këtë provim. Shkak për mosnxjerrjen e notës për këta maturantë janë bërë dyshimet e administratorëve të provimit për parregullsi. Fakti konfirmohet nga kreu i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj. Ky i fundit bën të ditur se administratorët e provimit të Matematikës kanë bërë propozime për penalizime për 70 teste maturantësh në shkallë vendi. Sipas kreut të AVA-s, këto teste do të verifikohen për parregullsi dhe pas përfundimit të këtij procesi do të publikohet rezultati përfundimtar edhe për maturantët e propozuar për penalizime.
Në total, në provimin e Matematikës kanë marrë pjesë 35 724 maturantë. Nga këta, vetëm 15 nxënës kanë arritur të grumbullojnë pikët maksimale, ndërsa notën 10 kanë arritur ta “rrëmbejnë” afro 480 maturantë. Përsa u përket rezultateve negative në provim, plot 2500 maturantë janë vlerësuar me notën katër në testin e Matematikës. Në total, në të dyja provimet me detyrim të Maturës bëhen plot 4100 gjimnazistë që vlerësohen negativisht, nga rreth 36 mijë në total që janë testuar. Për rrjedhojë, këta maturantë skualifikohen automatikisht nga lista e kandidatëve për në shkollë të lartë.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›