E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia hap konkursin e përvitshëm për 10 personalitetet e vitit



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka hapur konkursin ku do të përzgjidhen 10 Personalitetet e Vitit 2008, të cilët kanë dhënë kontribut për komunitetin e kryeqytetit. Propozimet kanë të drejtë të bëhen nga të gjithë qytetarët, të cilët kanë konsideratë dhe vlerësim të veçantë për punën e dikujt. Duke filluar nga data 10 dhjetor, secili nga qytetarët ka të drejtë të propozojë dhe votojë persona të njohur apo qytetarë të thjeshtë, të cilët i kanë ofruar Tiranës veprime modeste. Njerëzit që do të propozohen, pavarësisht nga profesioni, gjinia apo pozicioni i tyre shoqëror, duhet të jenë shembull frymëzimi për të tjerët. Ata duhet të jenë njerëz me vlera shoqërore që i japin diçka më shumë komunitetit.
“Si çdo muaj dhjetor, në tre vitet e fundit, Bashkia e Tiranës organizon “10 -Personalitetet e Vitit”. Duke filluar nga data e sotme, pra 10 dhjetor, të gjithë qytetarët mund të sugjerojnë personat që ata mendojnë se mund të jenë një nga 10 personalitetet e vitit, në disa lloj mënyrash: Ne kemi zgjedhur mënyrën elektronike që është ajo me anë të e-maileve, duke dërguar një e-mail në adresën 10personalitetet@tirana.gov.al, ose duke dërguar një letër në adresën e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që qytetarët mund të vijnë direkt këtu, pranë Zyrës së Informimit Qytetar, duke sjellë sugjerimet e tyre”, - thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës. Këta personalitete do të përzgjidhen nga një juri e caktuar, e cila pritet të vendoset së shpejti nga Bashkia.
Afati
Duke nisur nga dita e djeshme e deri më 20 dhjetor, për 10 ditë, të gjithë kanë mundësi që të votojnë dhe të sugjerojnë emrat e 10 personaliteteve të vitit. Më pas, më datë 20 dhjetor, një juri e përbërë nga 5 persona, do të vendosin se kush janë këta personalitete. Ndërkohë, me datë 23 dhjetor, në orën 18.00 pasdite, në një nga sallat e hotel “Tiranës” zhvillohet mbrëmja gala, për të shpërndarë çmimet e për të bërë të ditur publikisht se kush janë personalitetet e këtij viti. Mënyra e përzgjedhjes është e njëjtë me vitet e kaluara, mjafton që qytetarët të justifikojnë pse kanë zgjedhur personin në fjalë. Ata kanë të drejtë të sugjerojnë njerëz të njohur nga fusha e artit, kulturës, politikës, sportit. Por ata kanë të drejtë të propozojnë edhe njerëz totalisht të panjohur, qytetarë të cilët kanë ofruar diçka për Tiranën, dikush që ka bërë një lulishte, një mësuese e dalluar, një edukatore që rrit breza të tërë fëmijësh apo qoftë dhe një qytetar tjetër i cili ka bërë një veprim dhe njihet në lagjen e tij apo në punën ku ai kryen, në aktivitetin e tij dhe që meriton të jetë një nga 10-personalitetet.
Komunikimi
Për të propozuar dhe votuar, të gjithë qytetarët mund të përdorin disa mënyra, sipas preferencës dhe lehtësive që ofrohen nëpërmjet rrugëve të komunikimit. Letrat mund të dërgohen me postën e thjeshtë në adresën: Kabineti i Kryetarit, Bashkia e Tiranës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit; Postë elektronike (e-mail): 10personalitetet@tirana.gov.al; Dorazi: Pranë Zyrës së Informimit Qytetar. Qytetarët duhet të kenë parasysh që pranë emrit të propozuar të vendoset arsyeja për të cilën është përzgjedhur dhe mund të propozohen vetëm 10 apo më pak emra. Dhjetë personalitetet që u përzgjodhën vitin e kaluar, 2008-ën janë: Margarita Xhepa, Dritan Hoxha, Romela Begaj, Qendra “Emanuel”, Maks Velo, Anisa Haxhija, Banka Kombëtare Tregtare, Dr. prof. Gudar Beqiraj, Shtëpia botuese ”Dudaj”, Arbër Çepani. Ndërsa në vitin 2007 u përzgjodhën 10 emra të tjerë të vitit, që shënoi dhe eksperiencën e parë të kësaj tradite të Bashkisë së Tiranës. Ata ishin emra të njohur ose personalitete që kanë dhënë ndihmë vullnetare për njerëzit në nevojë. Për vitin 2007, në krye të listës së personave që kanë kontribuar për Tiranën u renditën personazhe, si: Fatos Kongoli, Halim Kosova, Ana Qendro, Sotir Qirjaqi, familja Kika, Afrim Koçi, Kristo Frashëri, Farfurie Xhaja, Xhevdet Bashllari dhe Timo Flloko.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›