Çanta misterioze alarmon policinë, gjenden vegla pune
TIRANË - Një çantë e harruar në një lokal në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet ka alarmuar banorët e zonës dhe policinë. Të pranishmit kanë denoncuar në polici nga frika se brenda saj mund të ketë lëndë eksplozive. Por, pasi ekspertët anti-eksplozivë dhe forcat e rendit të Policisë së Qarkut të Tiranës kanë shkuar tek lokali ku ndodhej objekti, dhe kanë larguar të gjithë banorët, kanë parë se brenda saj nuk kishte lëndë të rrezikshme. Burimet zyrtare pohojnë se në çantë ndodheshin disa vegla pune, të cilat dyshohet se janë harruar nga ndonjë punonjës ndërtimi. Prania e çantës në lokalin që ndodhet pranë zyrave të një televizioni privat, shkaktuan frikë dhe panik tek banorët e rrugës “Siri Kodra” në lagjen Nr. 9 në kryeqytet.
11 Dhjetor 2009