E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, burg të përjetshëm për vrasësin e dy policëve

Afrim Hasanaj rrezikon të qëndrojë në burg për gjithë jetën

Laureta Rryçi

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje burg përjetë për vrasësin e dy policëve. Prokurori i çështjes, pasi riktheu edhe njëherë ngjarjen e disa muajve më parë dhe shpjegoi se edhe gjatë gjykimit u provua fajësia e të pandehurit, kërkoi dënimin maksimal ndaj Afrim Hasanajt. Për akuzën nuk mund të ketë një ndëshkim më të butë për atë që ekzekutoi dy policët, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha, më 24 mars 2009, në fshatin Shën Mëri të Kukësit.
Në sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda mungonte i akuzuari Afrim Hasani, i cili përfaqësohej nga avokati, ndërsa ishin të pranishëm vetëm dy familjarë të tij.
Seanca
Prokuroria pretendoi se nga të gjitha provat e mbledhura rezulton se 34-vjeçari është autor i vrasjes me paramendim të dy efektivave të policisë. Për procedurë, pas konkluzioneve të prokurorit, thotë fjalën e fundit edhe pala mbrojtëse dhe më pas kolegji penal del në një vendim përfundimtar mbi të pandehurin. Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet iu deshën 35 ditë kohë për të mbyllur fazën hetimore dhe për ta dorëzuar dosjen penale me të pandehurin Afrim Hasani në gjykatë. Ndaj Hasanit rëndojnë pesë vepra penale, mes tyre vrasja e dyfishtë e policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila.
Ngjarja
"Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Afrim Hasani ishte me precedentë penalë që nga kthimi i tij nga Finlanda në fund të vitit 2007, ku kishte qëndruar atje emigrant për disa vite. Pas kthimit nga emigracioni, autori i vrasjes së dy efektivave të policisë jetonte me gruan dhe dy vajzat e mitura në fshatin Petkaj të Kukësit. Me t'u kthyer në vend ai është akuzuar dhe më pas dënuar me 4 muaj burg për falsifikim të akteve të gjendjes civile. Pas daljes nga burgu ai është njohur si konsumator i alkoolit”, - lexoi midis të tjerave prokurori i çështjes, duke shpjeguar rrethanat që sollën ngjarjen e rëndë. Më tej, sipas akuzës, ngjarja ka vijuar me një kontrolli të bërë nga ana e policisë, ku dhe Afrim Hasani i është kundërpërgjigjur me zjarr, duke lënë të vdekur në vend dy efektivat e rendit. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të lindur midis autorit dhe dy punonjësve të policisë, pasi ata e kishin kallëzuar Afrim Hasanin. Ky i fundit rezultonte person me precedentë të mëparshëm penalë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit. Dy inspektorët e policisë u qëlluan me breshëri automatiku ndërsa ata ndodheshin në një lokal në fshatin Shën Mëri. Pas krimit autori u fsheh në një pyll pranë fshatit të tij, ku u gjet pas disa orë kërkimesh.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›