E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Taçit, edhe dy truprojat u njohën dje me akuzën

Tre të akuzuarit do të përballen me akuzën për rrahjen e gazetarit Mero Baze

Dy truprojat e biznesmenit Rezart Taçi u njohën dje zyrtarisht me akuzat që rëndojnë mbi ta, njëlloj si eprori i tyre. Ata u shfaqën në dyert e Prokurorisë së Tiranës rreth drekës së ditës së djeshme dhe takuan, në prezencë të avokatit të tyre Arben Prfiti, prokurorin dhe oficerin gjyqësor që është marrë me hetimin e ngjarjes ku u godit gazetari Mero Baze. Burime pranë institucionit të akuzës shpjeguan se dy të akuzuarit morën dijeni se tashmë do të jenë në statusin e të pandehurit dhe së shpejti do të përballen në Gjykatë me akuzën që rëndon mbi ta. Të njëjtat burime shpjeguan se edhe truprojat nuk kanë qëndruar gjatë në ambientet e Prokurorisë, por vetëm aq sa ka mjaftuar për të bërë firmosjen e disa dokumenteve ku morën dijeni për mbylljen e hetimeve.
Akuza
Prokurori i çështjes, Gjergji Tako, u komunikoi zyrtarisht akuzën e "goditjes për shkak të detyrës" në bashkëpunim ndaj gazetarit Baze dhe u ka vënë në dispozicion një kopje të akteve hetimore, për të cilat të akuzuarit Irgen Selfo dhe Bledar Lito firmosën për njohjen me aktet. Më pas ata u larguan për t’u paraqitur në Gjykatë ditën kur do të nisë procesi gjyqësor ndaj tyre.
Edhe biznesmeni Rezart Taçi u njoh dy ditë më parë zyrtarisht me akuzën. Ndërkaq, në refuzimin e tij për t'iu përgjigjur hetuesve në lidhje me akuzën, Taçi është mjaftuar me fjalët: “Nuk e pranoj akuzën dhe do të shprehem për faktet dhe provat kundër kësaj akuze para Gjykatës". Me komunikimin e akuzave mësohet se tre të akuzuarit do të përfundojnë në Gjykatë si të pandehur, ku do të gjykohen për kryerjen e veprës penale të "goditjes për shkak të detyrës" në bashkëpunim.
Ngjarja
Ngjarja për tre të akuzuarit ka ndodhur mbrëmjen e 2 nëntorit 2009, në një lokal nate në zonën e ish-Bllokut, ku tre agresorët, pas një debati me gazetarin Mero Baze, e sulmojnë këtë të fundit duke e goditur me sende të forta, për të cilat ka marrë edhe mjekimet e nevojshme. Mësohet se organi i akuzës ka siguruar një sërë provash materiale për të vërtetuar akuzën ndaj Taçit dhe shoqëruesve të tij, ku më të rëndësishmet cilësohen dëshmitë e katër personave të pranishëm në vendin e ngjarjes. Tre të akuzuarit janë hetuar dhe do të gjykohen në gjendje të lirë, me masat e sigurisë "detyrim për paraqitje", ku vetëm biznesmeni Taçi është liruar kundrejt një garancie pasurore prej 50 mijë eurosh.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›