E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për të drejtat e fëmijëve do të miratohet në 2010-n



Në fillim të vitit të ardhshëm, edhe vendi ynë do të ketë një ligj të posaçëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilët në jo pak raste janë pre e punës informale apo e rasteve të dhunës. Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Monitorimit të Strategjive në Ministrinë e Punës, Ilda Bozo. “Ky ligj pritet të miratohet nga qeveria shqiptare dhe pastaj nga parlamenti gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2010. Gjithashtu është bërë një reformë institucionale përsa i përket zhvillimit dhe zbatimit të kësaj strategjie. Ka dhe raste dhune të cilat shpeshherë ndodhin nëpër shkolla, shpeshherë ndodhin nëpër familje, por megjithatë duke qenë se shoqëria është e sensibilizuar karshi grupit të fëmijëve unë mendoj se çdo ditë e më shumë të gjitha këto raste po minimizohen”,- shprehet Bozo. Ndërkohë që dje, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, përfaqësuesit e Ministrisë së Punës, deklaruan se strategjitë për kategori të caktuara të popullsisë, si: fëmijët, pakicat etnike, apo personat me aftësi të kufizuara, kanë arritur qëllimin e tyre për të plotësuar të gjitha të drejtat që kanë këto kategori, për arsimim, shërbimet shëndetësore, strehim, apo punësim. Tashmë vendi ynë, i përfshirë në ato vende që kanë mbështetur Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, ka një strategji të posaçme për komunitetin rom dhe personat me aftësi të kufizuara. Deklarata e të Drejtave të Njeriut e ka fillesën e saj në 10 dhjetor të vitit 1948.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›