Formulari për bizneset që duan të punësojnë të dënuarit
Laureta Rryçi
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën publik formularin që duhet të plotësojnë të gjitha bizneset që janë të interesuara për të punësuar të dënuarit. Sipas burimeve zyrtare pranë kësaj drejtorie, subjektet e interesuara për punësimin e kësaj kategorie të shoqërisë janë të lutur të paraqesin aplikimet e tyre zyrtarisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ky formular del pas miratimit të rregullores së re për funksionimin e burgjeve. Në varësi të bizneseve që do të ofrohen, të dënuarit do të kenë mundësi që përveç vuajtjes së dënimit, të kenë mundësi edhe punësimi duke përfituar një profesion.
Procedura
Bizneset që duan të aplikojnë për punësimin e të dënuarve duhet të ndjekin një procedurë të caktuar. Së pari, ata duhet të paraqesin kërkesën te komisioni i vlerësimit. Kërkesa duhet të shoqërohet me një sërë dokumentesh, të cilat janë: formulari standard i plotësimit, vendimin e gjykatës të biznesit që ofron punë për të dënuarit, certifikatën e regjistrimit në organin tatimor, vërtetime nga gjykata, Prokuroria dhe Përmbarimi se biznesi në fjalë nuk ka procese penale të hapura gjatë periudhës që bën ofertën, informacione për pagesën që ofron, llojin e aktivitetit që ka dhe numrin e punëtorëve që ka të punësuar. Relacion shpjegues për llojin e punës që ofron dhe numrin e të dënuarve që kërkon të punësojë. Komisioni për rastin në fjalë duhet të marrë vendim brenda 30 ditësh nëse do ta pranojë kërkesën e biznesit për të punësuar të dënuar.
Të dënuarit
Jo të gjithë të dënuarit që aplikojnë për punësim mund të pranohem. Ata do të përzgjidhen sipas disa kritereve tashmë të përcaktuara. Drejtori i burgut, që njihet dhe i pari me kërkesën për punësim, duhet të shikojë gjendjen ekonomike të të dënuarit, sjelljen e tij në burg, aftësitë profesionale. Në momentin që mbërrin kërkesa drejtori duhet të vendosë për të brenda dhjetë ditësh. Punë të llojit artizanal, intelektual dhe artistik mund të kryhen brenda ambienteve të burgut në rast se nuk kanë pajisje që përbëjnë rrezik për rendin apo jetën e ndokujt. Me miratimin e kontratës personale drejtori i burgut urdhëron për plotësimin e kushteve për të dënuarin.
Rritet pagesa për të dënuarit
Tashmë, një i dënuar që dëshiron të punësohet nuk do të paguhet më pak se 17 mijë lekë në muaj. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përcaktuar nivelin e ri të pagesës për të burgosurit që do të punësohen nga administrata e Burgjeve ose nga biznese private. Tashmë janë përcaktuar rregullat se si do të operojnë subjektet private që kërkojnë të punësojnë të dënuar. Shumë të dënuar dhe të paraburgosur janë punësuar në këtë sistem në profesione të tilla, si: ndihmëskuzhinier, shpërndarës ushqimi, mirëmbajtës, kopshtar, mekanik, murator, pastrues, por edhe si punonjës biblioteke, duke përfituar, përveç pagesës, edhe 4 ditë në muaj ulje dënimi. Është menduar edhe për zgjerimin e hapësirave dhe mundësive të reja të punësimit për të dënuarit dhe të paraburgosurit. Për këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar një draft punësimi që parashikon bashkëpunim me biznese dhe firma të ndryshme për punësimin e personave me liri të kufizuar, jashtë institucionit ku vuajnë dënimin.
11 Dhjetor 2009