Bashkia hap konkursin për 10 personalitetet e vitit 2008
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës ka hapur konkursin ku do të përzgjidhen 10 Personalitetet e Vitit 2008, të cilët kanë dhënë kontribut për komunitetin e kryeqytetit. Propozimet kanë të drejtë të bëhen nga të gjithë qytetarët, të cilët kanë konsideratë dhe vlerësim të veçantë për punën e dikujt. Duke filluar nga data 10 dhjetor, secili nga qytetarët ka të drejtë të propozojë dhe votojë persona të njohur apo qytetarë të thjeshtë, të cilët i kanë ofruar Tiranës veprime modeste. Njerëzit që do të propozohen, pavarësisht nga profesioni, gjinia apo pozicioni i tyre shoqëror, duhet të jenë shembull frymëzimi për të tjerët. Ata duhet të jenë njerëz me vlera shoqërore që i japin diçka më shumë komunitetit.
Procedurat
Procedurat e votimit tashmë kanë filluar dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 24 dhjetor. Më pas, të dhënat e mbledhura do t’i dorëzohen një jurie prestigjoze, të përbërë nga emra të njohur në fushën e artit, letrave, sportit, biznesit, etj, që do të vlerësojë propozimet dhe votimet e qytetarëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, së bashku me të ftuar të tjerë,
më 26 dhjetor, në një festë të hapur për publikun dhe mediat, do të nderojnë fituesit e edicionit të dytë “10 Personalitetet e Vitit 2008”.
Komunikimi
Për të propozuar dhe votuar, të gjithë qytetarët mund të përdorin disa mënyra, sipas preferencës dhe lehtësive që ofrohen nëpërmjet rrugëve të komunikimit. Letrat mund të dërgohen me postën e thjeshtë në adresën: Kabineti i Kryetarit, Bashkia e Tiranës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit; Postë elektronike (e-mail): 10@tirana.gov.al; Dorazi: Pranë Zyrës së Informimit Qytetar. Qytetarët duhet të kenë parasysh që pranë emrit të propozuar të vendoset arsyeja për të cilën është përzgjedhur dhe mund të propozohen vetëm 10 apo më pak emra. Kështu, eksperienca e vitit të kaluar në Bashkinë e Tiranës do të vijojë edhe këtë vit, me organizimin e konkursit të hapur “10 Personalitetet e Vitit”. Një vit më parë, personat që fituan këtë titull u përzgjodhën direkt nga qytetarët e Tiranës, me anë të postës së thjeshtë dhe asaj elektronike. Kështu, emra të njohur nga fusha të ndryshme u nderuan nga Bashkia e Tiranës dhe qytetarët e saj, në një mbrëmje gala, të organizuar enkas për këtë ngjarje. Emrat e përzgjedhur nga juria ishin: Fatos Kongoli, Halim Kosova, Ana Qendro, Sotir Qirjaqi, Familja Kika, Afrim Koçi, Kristo Frashëri, Farfurie Xhaja, Xhevdet Bashllari dhe Timo Flloko.
Rama i dhuron “Çelësin e qytetit” kryeministrit të Bosnjë-Hercegovinës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i dhuroi “Çelësin e qytetit” kryeministrit të Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Spiric. Rama priti në zyrën e tij kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës Nikola Spiric dhe delegacionin që e shoqëronte në një takim pune, ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, kryeministri Spiric vuri theksin në miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, duke ftuar kryebashkiakun Rama të vizitojë Sarajevën. Ndërsa Rama i dhuroi kryeministrit “Çelësin e qytetit”, një vlerësim që kryetari i Bashkisë rezervon për njerëz të shquar dhe vizitorë të nderuar të Tiranës. Kryeministri Spiric vlerësoi punën që Rama ka bërë për transformimin e kryeqytetit shqiptar, duke e përgëzuar atë për rezultatet e arritura dhe ndryshimet e dukshme që vihen re në Tiranë. Po ashtu, gjatë takimit të zhvilluar u diskutua edhe në lidhje me çështje të ndryshme si ekonomia e dy vendeve, investimet, shërbimet publike etj.
11 Dhjetor 2008