E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertiza paraprake: “Godina e Juridikut rrezikon të shembet”



Godina e Fakultetit Juridik në Tiranë është totalisht e pafunksionueshme dhe do të shembet. Ky është përfundimi i nxjerrë nga faza e parë e ekspertizës së bërë nga ekspertët e Prokurorisë në bashkëpunim me specialistë të fushës. Grupi i ekspertëve i ngritur posaçërisht për këtë problem nga analiza e deritanishme ka treguar që godina është e pasigurt për mësim, pasi rrezikon të shembet nga çasti në çast. Sipas përfundimit paraprak të ekspertëve, studentët e këtyre dy fakulteteve nuk mund t’i rikthehen mësimit brenda këtij viti në këtë godinë. Por, pezullimi i mësimit nga rreziku i shembjes së godinës po i rëndon më shumë studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, të cilët nuk i janë rikthyer ende auditoreve. Deri tani, institucionet përkatëse kanë gjetur zgjidhje të përkohshme të problemit vetëm për studentët e Juridikut, të cilët ditën e martë kanë rinisur mësimin në Kinoklubin e Qytetit Studenti dhe në shkollën “Petro Nini Luarasi”. Ndërsa për studentët e Shkencave Sociale nuk është gjendur ende një godinë për zhvillimin e mësimit. Të indinjuar nga kjo situatë, studentët e Shkencave Sociale kanë vendosur që të vijojnë protestat duke përshkallëzuar edhe reagimet.

Universiteti i Vlorës, hapet masteri në mësuesi për anglisht dhe italisht

Hapen dy mastera të nivelit të parë në mësuesi për anglisht dhe italisht në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë. Studimet për ndjekjen e këtyre dy masterave do të ofrohen në Fakultetin e Edukimit. Në përfundim të këtyre programeve lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë (MNP) në mësuesi”, për ciklin e lartë të arsimit bazë. Kuotat e pranimeve në këto programe studimi, për vitin akademik 2008-2009, janë: në lëndën “Gjuhë angleze” 120; në lëndën “Gjuhë italiane” 120. Tarifa vjetore e studimit për studentët që do të vazhdojnë këto studime është 320 mijë lekë.
Kandidatët që u përkasin shtresave sociale si: të verbrit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, studentët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë apo fëmijët e policëve të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, master i nivelit të parë në mësuesi, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit. Programi i studimit, Master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, realizohet me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit. Këto programe studimi do ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›