Përfundojnë procedurat e tenderimit të medikamenteve në MSH
Procedurat e tenderimit të medikamenteve në Ministrinë e Shëndetësisë kanë përfunduar. Tashmë pritet shpërndarja e barnave në të gjitha pavijonet e spitaleve sipas kërkesave që kanë paraqitur. Burime nga Drejtoria e QSUT-së bëjnë të ditur se një pjesë e barnave janë shpërndarë nëpër spitale, ndërsa pjesa tjetër ngelet që të shpërndahen gjatë këtij muaji, por shpërndarja e tyre pritet të shtyhet edhe në muajin janar të 2009-ës. Tenderimi i fundit i kryer nga MSH-ja është furnizimi i laboratorëve të QSUT-së, të cilët nuk kanë marrë ende furnizimin me barna, pajisje dhe lëndë të tjera mjekësore. Aktualisht, laboratorët pezullojnë punën për analizat e pacientëve, pasi një pjesë e madhe e analizave kryhen në këta laboratorë. Tenderat për materialet e laboratorëve u kryen të fundit dhe përfunduan në datën 8 dhjetor 2008. Megjithëse shpërndarja e tyre nuk ka filluar ende, ata që ndihen më të lehtësuar nga kjo situatë janë pacientët, të cilët e kanë ndier më shumë se kushdo krizën e medikamenteve gjatë gjithë këtij viti. Afatet e tenderimit të medikamenteve në MSH u detyruan që të shtyheshin për shkak se nuk mund të kryheshin të plota dhe përsëri do të kishte mungesa. Madje, ishte vendimi i qeverisë që i dha të drejtë MSH-së dhe i la kohë për të dalë nga kriza që ka përfshirë sistemin shëndetësor në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar që vitin e ardhshëm mungesat në spitale nuk do të ndihen.
11 Dhjetor 2008