E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia heq bonuset e qerasë për të pastrehët



Për një afat të pacaktuar Bashkia e Tiranës ka ndërprerë aplikimet për përfitimin e bonusit për të pastrehët në kryeqytet. Të drejtën për të aplikuar e kanë vetëm ato familje që u prishet banesa prej projekteve të bashkisë, ndërsa kategoria tjetër e qytetarëve të pastrehë nuk mund të aplikojë më për të përfituar bonus qeraje, deri në miratimin e një sistemi të ri të pikëzimit për këtë program.

Bonusi

Janë ngrirë aplikimet e qindra qytetarëve për të përfituar bonus qeraje. Sipas burimeve të bashkisë, “aktualisht mund të aplikojnë vetëm ata që u prishet banesa prej projekteve të bashkisë, ndërsa kategoria tjetër e qytetarëve të pastrehë nuk mund të aplikojë më për të përfituar bonus qeraje, deri në miratimin e një sistemi të ri të pikëzimit për këtë program”.

Dhënia e bonuseve do të miratohet nga Këshilli Bashkiak jo më si sistem pikëzimi, por thjesht si subvencionim apo ndihmë që jep bashkia.

Pjesë e përfitimit do të bëhen banorët që do t'u prishen shtëpitë nga projekti i Unazës së Madhe si dhe atyre që do t'u prishen shtëpitë nga projekti për ndryshimin e territorit të Kamzës.

Rasti i fundit ku banorët mbetën të pastrehë dhe përfituan bonus nga bashkia, ishte ai i prishjes së ndërtesave pa leje përgjatë lumit të Lanës dhe pranë Maternitetit të Ri, ku rreth 32 kryefamiljarë përfituan shumën mujore prej 15 mijë lekësh, për të mundësuar pagesën mujore në shtëpitë me qera që do të merrnin.

“Një ndër projektet e bashkisë, nga i cili pritet prishja e shumë banesave, është zbatimi i projektit për Unazën e Madhe”, - thanë burimet. Ky aks rrugor është projektuar që të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me “Rrugën e Elbasanit” dhe pranë Akademisë së Rendit Publik.

Ndihma

Ndërkohë, nga Bashkia e Tiranës për qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qeranë e tregut, ofron mundësinë e trajtimit me bonos qeraje deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim, çka nënkupton pagimin e një pjese të qerasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qeranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja, do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qerasë që paguan, kjo e fundit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›