Berisha: E rëndësishme liria e zgjedhjeve, jo rezultati
Për Kryeministrin Sali Berisha rëndësi ka liria e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe jo rezultati i tyre. Z. Berisha mblodhi dje në selinë e qeverisë prefektët, të cilëve u bëri të qartë se infrastruktura moderne që po përgatitet është një garanci shumë e madhe për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Sipas kreut të qeverisë, "Shqipëria do të shkojë në zgjedhje si një vend anëtar i NATO-s dhe kjo e bën më të madhe përgjegjësinë e qeverisë për një proces të lirë zgjedhor". Kryeministri vuri në dukje se parësore është vendosmëria e administratës dhe punonjësve të saj, për të zbatuar ligjin në procesin zgjedhor”. "Për këtë qeveri dhe këtë administratë rëndësi absolute ka ndershmëria dhe liria e zgjedhjeve, dhe më pas rezultati i tyre. Shqipëria është një vend i lirë dhe do të konsolidojë lirinë e saj vetëm me procese zgjedhore të lira dhe të ndershme", - u shpreh Kryeministri. Berisha urdhëroi dje prefektët për monitorimin e kujdesshëm në procesin e shpërndarjes së kartave nëpër qarqe, atë të investimeve publike nga qeverisjet vendore, të kenë një rol kyç në zgjedhjet e ardhshme, si dhe të identifikojnë familjet në nevojë. Ai u ndal në mënyrë të veçantë tek përgatitjet që po bëhen për infrastrukturën e re zgjedhore, për të cilën pohoi se është shtylla e dytë madhore e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Për sa u përket masave që janë marrë deri tani, Kryeministri informoi prefektët se "janë pastruar dublikimet dhe është dixhitalizuar i gjithë regjistri i gjendjes civile, ndërkohë që tani kërkohet bashkëpunimi i bashkive dhe komunave për shqyrtimin e këtyre listave". Z. Berisha e vlerësoi këtë si një objektiv absolut, pas anëtarësimit të vendit në NATO. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se "procesi i anëtarësimit po finalizohet para afatit, sepse protokolli është ratifikuar nga thuajse të gjitha vendet anëtare dhe pritet që javën që vjen të përfundojë plotësisht ratifikimi i tij". "Në këtë rast, u shpreh mirënjohjen më të thellë të gjitha vendeve anëtare, mirënjohjen më të thellë qeverisë së SHBA-së, pa ndihmën dhe mbështetjen e së cilës ky proces nuk do të ishte i mundur. Sikundër, ju siguroj se pa reformat tona, ky proces do të ishte i pamundur", - u shpreh Kryeministri. Në vijimësi të kësaj, Kryeministri përcaktoi si detyrë parësore për të gjithë qeveritarët vendorë, shpërndarjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. "Nuk mund të ketë as edhe një pengesë burokratike në zhvillimin normal dhe shpejtimin e këtij proces. Ju duhet të bëni çdo gjë që procesi të ecë me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe në mënyrën më normale", - tha Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë kërkoi që prefektët të monitorojnë procesin, të evidentojnë të gjitha pengesat dhe ndërhyjnë energjikisht për zgjidhjen e tyre.