Moti, në fundjavë temperaturat nën zero
Moti i ftohtë dhe temperatura të ulëta deri në -4 gradë celsius do të kaplojnë të gjithë vendin përgjatë ditëve në vijim. Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut do të vazhdojnë, ndërkohë që priten ulje të temperaturave deri në disa gradë celsius.
Moti
I ftohti që ka kapluar prej ditës së djeshme vendin tonë, do të vijojë edhe në ditët në vijim. Përgjatë fundjavës termometri do të shënojë -3 -4 gradë celsius. Shirat do të jenë të pranishëm edhe ditën e premte, ndërsa deri ditën e martë megjithëse moti do të jetë i ftohtë, nuk do të ketë reshje shiu. Ditën e sotme temperaturat pritet të vazhdojnë të bien gradualisht nga 7 gradë maksimalja deri në -1 gradë minimalja. Ndërsa në fundjavë termometri do të shënojë deri në -3 gradë celsius. Moti sërish do të të jetë i paqëndrueshëm dhe reshjet do të përfshijnë gjithë Shqipërinë edhe gjatë të shtunës dhe të dielës. Këto temperatura do të vazhdojnë të jenë të pranishme në vendin tonë deri ditën e martë, ku sipas sinoptikanëve në fillim javën e ardhshme pritet të ketë një përmirësim të lehtë të motit. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, temperaturat gjatë ditëve të fundit janë ulur me 2-3 gradë dhe do të vazhdojnë të ulen edhe gjatë ditëve në vazhdim.
Shkaku kryesor për uljen e temperaturave janë masat e paqëndrueshme të cilat vijnë që nga veriu i Evropës. Masa të lagështa, të ftohta dhe të paqëndrueshme të ardhura nga veriu i Evropës do të vazhdojnë të ftohin territorin e vendit, ndërkaq që temperatura më e ulët e shënuar gjatë këtyre ditëve do të jetë ajo e vendeve malore, -3 gradë celsius, dhe më e larta 8 gradë celsius në vendet e ulëta.
Shirat
Temperaturat dhe i ftohti që kanë shoqëruar këto ditë vendin tonë, kanë sjellë dyndje në urgjencat e spitaleve, ku qindra të moshuar dhe fëmijë kanë kërkuar ndihmë mjekësorë. Ndërkohë që problematike paraqitet situata edhe për shumë zona të kryeqytetit ku shiu i rënë gjatë kësaj jave ka sjellë mjaft probleme në disa rrugë të Tiranës. Dhjetëra rrugë në kryeqytet janë përmbytur nga rënia e vazhdueshme e shiut. Për shkak të mungesës së kanalizimeve ose amortizimit të tyre, ka qenë i pamundur të përballohej intensiteti i lartë i reshjeve gjatë këtyre ditëve. Më të prekura nga përmbytjet kanë qenë zonat periferike të Tiranës, ku kalimtarët e kanë pasur të vështirë të kalojnë, pasi shirat kanë mbuluar rrugët.
Më problematike situata mbetet në ato lagje ku përmbytjet ndodhin sa herë bie shi. Si shkak i bllokimit të pusetave, gjendja bëhet akoma më e vështirë, pasi uji i shiut bashkohet me ujërat e zeza, duke rrezikuar përhapjen e epidemive. Përmbytje të garazheve e bodrumeve kanë arritur deri në 30 centimetra.