E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia injoroi angazhimin e qeverisë për ndërhyrjen e përbashkët në sheshin “Skënderbej”

Kryeministri Sali Berisha parashikoi pak ditë më parë efektet negative që do të sillte bllokimi i sheshit qendror të kryeqytetit, si pasojë e rikonstruksionit të tij. Shefi i ekzekutivit i kërkoi bashkisë së Tiranës të bashkojë me qeverinë, për shmangien e një paralize të mundshme të trafikut, ç’ka do të shkaktonte anomali në lëvizjen e automjeteve dhe njëherazi bllokim total të akseve kryesore të kryeqytetit.
“Zoti Rama bëri eksperimentin e parë, ndonëse e bëri në kundërshtim me këshillën e specialistëve më të mirë të qarkullimit rrugor dhe u krijua një bllokim i përgjithshëm. Sot, njerëzit mbetën kohë të tëra në trafik. Mijëra vogëlushëve iu shtuan rrahjet e zemrës, pasi nuk po arrinin dot në shkollë për mësimin, punonjësit nuk po arrin në punë. U krijua një katrahurë e vërtetë e paparashikueshme për çdo njeri, që kërkon të ndalet dhe të arsyetojë, qoftë edhe në minimum. Ideja se trafiku do të zgjidhet me unazën, sipas asaj që thotë zoti Rama, është absurde. Me një by pass, me dy korsi, nuk bën gjë tjetër, veçse krijon grykën e shishes në trafik, nga e cila nuk dilet dot. Ndërkohë që studimi ka qenë me 5 korsi. Pa diskutim, që trafiku zgjidhet me një sistem unazash, por jo me unaza fiktive, përkundrazi me unaza që ekzistojnë, që duhet t’i ndërtosh”, është shprehur pak ditë më parë kryeministri Berisha, duke dënuar rrjetin artificial të rrugëve ku ka devijuar qarkullimin bashkia e Tiranës. Përkundrejt kësaj situate aspak të pranueshme dhe teje normave të lejuara ligjore, bashkia e Tiranës nuk jep asnjë informacion se deri kur do të vazhdojë ky kaos i paprecedentë.
Bunkerizimi i informacionit nga një njësi vendore si bashkia më e madhe e vendit, do të thotë mirëfillti një rrezik që sa vjen e rritet, lajm ky jo i mirë për të gjithë qytetarët që do të kenë fatin e zi të përshkojnë kryeqytetin në atë trafik të destabilizuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›