E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria hap ambasadën në Bosnje-Hercegovinë

Gjatë vizitës së tij në Sarajevë në kuadër të Takimit të Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë në hapjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë.
Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm Ministri i Punëve të Jashtme, të Bosnje-Hercegovinës, Sven Alkalaj, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë, Flamur Gashi si dhe qytetarë vendas me origjinë shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se hapja e Ambasadës shqiptare në Sarajevë reflekton qartë marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe i hap rrugë intensifikimit të mëtejshëm të tyre.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu sot në këtë inaugurim zyrtar të Ambasadës sonë. Mendoj se është një hap historik në marrëdhëniet e reja midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe tregues i qartë i prioritetit shumë të rëndësishëm që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me fqinjët, kontribut që ne do ta shtojmë akoma më tej, në shërbim të integrimit evropian të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Zëvendëskryeministri Ilir Meta.
Më tej, Meta njohu të pranishmit me potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria, duke ftuar në mënyrë të veçantë qytetarët e Bosnje-Hercegovinës të vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet verore.
Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Sven Alkalaj, duke vlerësuar hapin e ndërmarrë nga Qeveria shqiptare për hapjen e Ambasadës në Sarajevë, shprehu vlerësimin e tij të veçantë për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luan në rajon, si faktor paqeje, stabiliteti dhe si kontribuuese tepër e rëndësishme për integrimin evropian të tij.
Gjithashtu, duke shprehur besimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, Alkalaj, shprehu angazhimin e Qeverisë së tij për hapjen sa më shpejt të Ambasadës së Bosnje-Hercegovinës në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›