E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ka shënuar reforma, vendimi për vizat hap historik i realizuar me punë

Organizohet tryeza “Qeveri-Donatorë”, e drejtuar nga ministri për Inovacionin, Genc Pollo


Qeveria Shqiptare organizoi dje tryezën e Rrumbullakët Qeveri-Donatorë, të drejtuar nga ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit z. Genc Pollo dhe Ambasadori Robert Bosch, Shef i Misionit të OSBE-së në Shqipëri dhe Kryetar i radhës i Sekretariatit Teknik të Donatorëve. Në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe të komunitetit donator në Shqipëri. Në emër të qeverisë së Shqipërisë, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo përmendi reformat e 6 muajve të fundit të Qeverisë në një sërë fushash dhe impaktin e tyre në zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në BE. “Propozimi i fundit i Komisionit Europian, për të hequr vizat afatshkurtra për Shqipërinë, u shpreh ministri Pollo, është një hap historik për çdo qytetar shqiptar, i realizuar me punë e djersë”. Ndërsa për sa i përket strategjisë për riintegrimin e të kthyerve shqiptarë, ministri Pollo tha se ky dokument do të miratohet nga Këshilli i Ministrave në mes të qershorit. Lidhur me politikat ekonomike ministri Pollo deklaroi se, “masat e marra nga qeveria Shqiptare, investimet e mëdha në infrastrukturë, si dhe një ekspozim relativisht të vogël të sistemit tonë bankar ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare, kanë pasur efekte pozitive në rritjen ekonomike të Shqipërisë”. Sipas ministrit, lufta kundër krimit, korrupsionit përfshirë edhe pastrimin e parave mbetet prioritet dhe komuniteti i donatorëve ka mbështetur qeverinë me projekte të ndryshëm në forcimin e masave antikorrupsion. Në lidhje me Administratën Publike ministri Pollo tha se vizioni i qeverisë është një administratë publike e vogël, efektive dhe e paanshme të bazuar në merita profesionale. Robert Bosch Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Boscsh, ka komentuar edhe njëherë situatën politike në Shqipëri, gjatë fjalës së mbajtur në tryezën e Qeverisë me Donatorët. Referuar planit ekonomik, Bosch ka kërkuar në emër të bizneseve të huaja që klima politike të jetë më favorizuese. Në raportet ndërkombëtare politika vlerësohet si një ndër shkaqet e frenimit të investimeve të huaja, ndaj apeli i ambasadorit vjen pikërisht kur vendi është i përfshirë prej një viti, në një krizë të vërtet politike. “Të gjithë donatorët shpresojnë që ambienti politik të nxisë më shumë zbatimin e programeve të miratuara. Donatorët kanë vijuar përpjekjet e tyre me sugjerimet përkatëse në grupet sektoriale që janë ngritur, por shumë prej tyre mendojnë se ka ende punë për të bërë. Shqipëria është një vend që po shkon drejt Bashkimit Europian dhe duhet të marrë përsipër që të përmirësojë edhe sistemin e prokurimeve. Ne do të presim përfundimin e vrojtimit për të dalë në një konkluzion, se si zhvillohen tenderët në Shqipëri”, shprehet Bosch. Një përmbledhje e shkurtër mbi iniciativën “Pista e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës”(FTI-DoL) e adoptuar së fundmi nga Qeveria dhe donatorët, dhe e ndihmuar nga Italia, u dha nga Ambasadori italian Saba D’Elia. “Vendosmëria dhe përkushtimi i Qeverisë për efektivitetin e ndihmës së huaj bëri që iniciativa ‘Pista e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës’ midis donatorëve evropianë të përputhet plotësisht edhe me Planin e Veprimit për Harmonizim për Shqipërinë. Dëshiroj gjithashtu të përfitoj nga ky rast t’u shpreh falënderimin tim donatorëve pjesëmarrës të cilët kanë kontribuar me kohën, burimet dhe idetë e tyre”, tha Ambasadori gjatë fjalës së tij. Për t’iu përgjigjur shqetësimit të donatorëve në lidhje me rimbursimin e TVSH-së, shqetësim i ngritur edhe gjatë takimit të fundit, ministria e Financave kishte përgatitur një raport për rimbursimin e TVSH-së i cili iu shpërnda pjesëmarrësve bashkë me një informacion mbi kuadrin makroekonomik të vendit. Takimi konsiderohet me ndikim të madh në çështjet e koordinimit të donatorëve dhe shërben si një forum për të shkëmbyer informacion dhe për një dialog të hapur e konstruktiv në përmirësimin e efektivitetit të ndihmës së huaj në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›