“Protesta e opozitës për dieta e turpshme, në parlament për interesat e tyre personale”

Sherefedin Shehu shpjegon Kodin e Punës, sipas të cilit grevistët nuk marrin as pagat Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtar i komisioni të ekonomisë dhe financave, Sherefedin Shehu, u shpreh dje se deputetët e opozitës kanë kërcënuar administratën e kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta në kundërshtim me ligjet dhe statusin në fuqi. Duke iu referuar protestës në Kuvend, Shehu tha se opozita demonstroi një tjetër linjë turpi, duke u faktuar se përfaqësuesit e saj kanë vetëm interesa personale. “Deputetë të Partisë Socialiste kërkuan dieta për grevën. Protesta e tyre për dietat ishte qesharake dhe e turpshme. Edhe kur vijnë në Parlament, ata merren vetëm me interesat e tyre personale meskine Gjatë gjithë këtyre ditëve, ata kanë kërcënuar administratën e Kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta për ditët e grevës, ne kundërshtim me ligjet dhe statusin e deputetit. Në hakmarrje për mosmarrjen e dietave për ditët e grevës, ata shpifën dhe trilluan, të nxitur nga interesa të paligjshme e të ulta. Kërcënimi i tyre për t’u shpërblyer me dieta për ditët e grevës ishte shfaqja më banale e një deputeti, që ka për mision jo dietat e tij të paligjshme, por përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve”, u shpreh Shehu. Sipas tij, kërkesa e deputetëve të grevës për para dhe dieta është një kalim nga një qëndrim i paligjshëm në një paligjshmëri tjetër. “Edhe Kodi i Punës, në nenin 197, thotë se ‘grevë mund të bëjnë vetëm sindikalistët”. Por po ky kod thotë se, “edhe kur greva është e ligjshme, gjatë zhvillimit të saj pezullohet e drejta e pagës’. Pale të kërkohen dieta”, deklaroi më tej ai. Deputetët e opozitës kërkuan shpjegime një ditë më parë në Kuvend, sepse atyre nuk u ishin miratuar dietat për muajin maj. Protesta e deputetëve të opozitës ngjasonte ethshëm me një krizë të brendshme të tyre financiare, e cila me sa duket po jep efektet e para të revoltës, por ky problem është i vetëm opozitës, apo më konkretisht shkaku është Edi Rama.
...