E Shtunë, 31 Tetor 2026

E çmendura ther me thikë gruan që e kishte adoptuar

 
 
Vrasësja 29-vjeçare, e kthyer në tmerrin e qytetit, e papunë dhe në gjendje depresive, kohët e fundit merrte mjekime
 
 
Arrestimi
Në momentin e prangosjes, gjatë kohës që ishte duke dalë nga banesa e saj, Anila Angjo është përballur me forcat e policisë, të cilave iu është drejtuar gjithë madhështi që të mos e shihnin me habi, por ta arrestonin, se ishte treguar trime e vërtetë
 
 
Irena Vreto
Pogradec - Një vajzë që ishte kthyer në tmerrin e Pogradecit ekzekuton të ëmën me pistoletë. E forta e qytetit buzë liqenit të Ohrit, nga e cila kishin frikë reale dhe “të fortët” meshkuj, nuk është penduar për krimin monstruoz, ndërkohë që ka treguar sjellje të pazakontë gjatë momentit të prangosjes nga policia. Një grua e moshuar ka mbetur peng i plumbave që ka lëshuar në drejtim të saj vajza 29-vjeçare, përdoruese droge, të cilën e kishte adoptuar që në muajt e parë të jetës.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 9:00 të mëngjesit të së martës në lagjen “Rinia” të qytetit liqenor, ndërsa fqinjët e apartamentit të viktimës, të tmerruar nga krismat, kanë kërkuar ndihmën urgjente të policisë, pa e ditur se në banesën e Jovan Angjos kishte ndodhur një krim i tmerrshëm. Anila Angjo, 29 vjeçe, është arrestuar nën akuzën e “vrasjes me paramendim” vetëm disa minuta pas ngjarjes. Gjithçka duket se ka ndodhur në fare pak minuta, ndërsa 29-vjeçarja Angjo, e cila ishte e njohur për policinë vendore si kontingjent i saj, duket se kishte paramenduar gjithçka. Madje ajo kishte siguruar edhe armën vrasëse, pistoletë, me të cilën ka qëlluar pa e bërë të gjatë mbi 65-vjeçaren Shpresa Angjo. Konfliktet mes prindërve adoptivë të së resë kishin nisur prej shumë kohësh, nga momenti kur e arrestuara ishte kthyer në një kontingjent të Komisariatit të Pogradecit. Ajo ishte e dyshuar për disa vjedhje automjetesh, ndërkohë që njihej si përdoruese e rregullt e drogës dhe e alkoolit.
Në qytetin liqenor të gjithë e kishin frikë vrasësen, e cila bëhej shumë e rrezikshme nëse konfliktoheshe me të. E papunë dhe në gjendje depresive, kohët e fundit e reja merrte mjekime, ndërkohë që kishte shtuar grindjet me prindërit e saj të moshuar. Jovan Angjo, një ish-ushtarak i sferave të larta të ushtrisë, tashmë në pension, si dhe bashkëshortja e tij, tashmë e vdekur, realizonin çdo tekë të bijës së tyre, ndërsa ajo në mënyrë të vazhdueshme i nxirrte jashtë me dhunë nga shtëpia. Gjendja e saj ishte vështirësuar, teksa fqinjët i kanë rrëfyer policisë se ajo ushtronte dhunë fizike mbi të moshuarit. Por duket se mëngjesi i fundit i Shpresa Angjos ka nisur me grindjet e të bijës, pasi janë dëgjuar të bërtitura nga kjo e fundit. Më pas ajo ka keqtrajtuar gruan me një shkop, ndërsa në pak sekonda ka qëlluar me armë në drejtim të saj. Ndonëse ndodhej në të njëjtin apartament, babai i vajzës nuk e ka parë skenën, megjithëse ka dëgjuar krismat dhe ka qenë shumë pranë vendit të ngjarjes. I shokuar ai nuk ka besuar në vdekjen e bashkëshortes, teksa ajo është çuar fillimisht për ndihmë mjekësore në spitalin e Pogradecit, mjekët e të cilit kanë konstatuar vdekjen. Burime të policisë lokale i bënë të ditur gazetës, se autorja e dyshuar e këtij krimi njihej si kontingjent dhe është shoqëruar disa herë në polici, ndërkohë që tri herë ajo është shoqëruar vetëm për konfliktet në familjen e saj. 29-vjeçarja ishte një përdoruese e rregullt e alkoolit, ndërsa burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ajo prej disa kohesh mjekohej për depresion.
 Në momentin e prangosjes, gjatë kohës që ishte duke dalë nga banesa e saj, Anila Angjo është përballur me forcat e policisë, të cilave iu është drejtuar gjithë madhështi që të mos e shihnin me habi, por ta arrestonin, se ishte treguar trime e vërtetë. Forcat e Komisariatit të Pogradecit nuk e kanë pasur të vështirë të arrestonin të dyshuarën si autore e krimit brenda familjes që regjistron edhe viktimën e tij të parë në qarkun e Korçës për këtë vit. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje ka nisur hetimet, ndërsa gjatë marrjes në pyetje të Angjos ajo nuk është ndierë aspak e penduar për atë që ka ndodhur, madje nuk ka preferuar të flasë pa praninë e një avokati.
 
 
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›