Bashkia konsideron partnerë kanoçembledhësit
Komuniteti rom i Fierit, i përqendruar në Komunën Levan, konsiderohet nga Bashkia e Fierit si “partner” në përpunimin e mbetjeve urbane. Romët, që jetojnë në një varfëri ekstreme dhe nuk kanë asnjë shans punësimi, janë detyruar të gërmojnë në plehra për të nxjerrë prej aty sende me vlerë, duke siguruar kështu mbijetesën. Bashkia e Fierit ia ka parë “hajrin” nevojës së dëshpëruar të njerëzve me ngjyrë dhe deklaron se me anë të tyre ka realizuar selektimin e mbetjeve urbane. Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit në Bashkinë e Fierit, Vangjel Ndreko, ndjen gati keqardhje për romët kur flet për një projekt të ri që do t’ua heqë atyre të drejtën e selektimit të plehrave. “Deri më tani ndarja në kategori e mbetjeve urbane mbulohej nga ndërmarrja e pastrimit dhe nga komuniteti rom. Ky komunitet është cilësuar partneri ynë kryesor, pasi mundëson veçimin e mbetjeve urbane. Pjesëtarë të këtij komuniteti kanë qenë të interesuar për kanoçe, shishe plastike dhe materiale hekuri. Duke marrë këto kategori, mbeteshin vetëm mbeturinat urbane që ne lehtësisht i groposnim”, tha Ndreko, duke nënkuptuar kështu se me projektin e ri, ky partneritet do të prishet, duke u hequr romëve të ardhurat që siguronin nga plehrat dhe duke i shtuar bashkisë shpenzimet për selektimin e tyre.
#