E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza e humbur, merren në pyetje fshatarët

Kukës Pas ndërprerjes së kërkimeve në bjeshkë, policia përqendrohet në fshatrat e zonës

Një javë pas humbjes enigmatike të vajzës së vogël nga Zapodi, Bleonës, vetëm 6 vjeçe, kërkimet tashmë po marrin tjetër drejtim. Burime të policisë lokale thanë për gazetën “Shqip” se kërkimet e vajzës së humbur po bëhen nëpër zonat e banuara, kryesisht rreth fshatrave ku ka humbur 6-vjeçarja dhe në vende me të cilat shtëpia e vajzës së humbur ka lidhje farefisnore. Dje kanë udhëtuar për në Kukës edhe ekspertë të Tiranës nga sektori i kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme dhe, siç mësohet, po merren në pyetje fshatarët e zonës për të mësuar diçka më shumë rreth zhdukjes së vajzës. Ndërkaq nuk po kryhen më kërkime në bjeshkët e Koritnikut dhe Sharrit. Atje operacioni i kërkimit u është “besuar” barinjve të zonës, me shpresën se mund të kontribuojë në gjetjen e vajzës apo të shenjave nëse ajo ka rënë pre e egërsirave. Te policia, por edhe te familja, po forcohet bindja se vajzën mund ta kenë grabitur persona të panjohur, për ta trafikuar. Nga ana e tyre prindërit vazhdojnë të jetojnë në ankthin e pafund që ka shkaktuar humbja e së bijës. Ndërkaq, tre ditë më parë, babai i vajzës, Zamir Mata, ka mohuar përpara policisë të ketë marrë telefonata kërcënuese. Ai ka pohuar te të afërmit se ka frikë të flasë. “Frikem se mos i ndodh ndonjë gjë e keqe vajzës nëse është gjallë”, u ka thënë ai disa të afërmve.

Policia po survejon të gjithë zonën, duke pyetur banorët e fshatit ndërsa po punohet, siç pohon një burim i prokurorisë, edhe për zbardhjen e tabulateve të telefonatave të familjes Mata dhe të vajzave që kanë qenë me të miturën në momentin e humbjes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›