Dhuna ndaj Maks Velos, akt brutal që duhet ndëshkuar
Teksas policia e ka shoqëruar, pyetur dhe më pas e ka lënë të lirë biznesmenin Shpëtim Dama, i dyshuar si agresori i publicistit Maks Velo, ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ky i fundit e ka quajtur dhunën e ushtruar nga biznesmeni mbi arkitektin, pas një shkrimi që u botua në një të përditshme, “Një akt brutal që duhet ndëshkuar”. Sipas deklaratës së KShH-së, veprimet e mësipërme përbëjnë një sjellje të kundërligjshme, së pari sepse cenojnë integritetin fizik të një shtetasi dhe së dyti janë një tentativë për të ndalur ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes. Përfaqësues të kësaj organizate janë takuar me zotin Velo dhe i kanë sugjeruar ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore, duke i ofruar dhe asistencën e tyre, por “ai hezitoi për shkak të mosbesimit të tij ndaj organeve të drejtësisë”. “Me keqardhje konstatojmë se raste të tilla ngurrimi nga shtetasit, kohët e fundit, nuk janë të pakta. KShH i bën thirrje gjithë opinionit shoqëror për t’u bashkuar me reagimet e shumta ndaj një sjelljeje të tillë, e cila nuk u shkon për shtat synimeve tona, mbarë kombëtare, për një shoqëri demokratike e me të drejta njerëzore. Heshtja është me pasoja për të gjithë, për sot dhe për të ardhmen tonë”, mbyllet deklarata e KShH.
Ngjarja e rëndë, sipas Velos, lidhet me një shkrim në formë komenti të kryer prej vetë atij në një të përditshme, ku përcaktonte 9 objekte që, sipas tij, kishin arkitekturën më të shëmtuar në Tiranë. Personi i shoqëruar, biznesmeni Shpëtim Dama, është bashkëpronar në ndërtimin e një objekti që ndodhet përballë hyrjes së stadiumit kombëtar, “Qemal Stafa” në Tiranë.
Biznesmeni i dyshuar se ushtroi dhunë mbi Velon, është lënë i lirë pas marrjes në pyetje nga policia. Dosja e tij i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që do të hetohet në gjendje të lirë. Sipas burimeve pranë uniformave blu, 50-vjeçari rezulton ta ketë pranuar debatin që ka pasur me publicistin, ndërsa ka mohuar të ketë qenë autor i ndonjë sulmi të dhunshëm ndaj tij.
#