E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata u komunikon akuzën italiane Koçiut e Bërballës

Procesi Letërporosia për trafikun e drogës, rihapet procesi për dy të pandehurit shqiptarë

Kanë munguar në seancë, ndërsa ju është komunikuar zyrtarisht rihapja e hetimeve në Itali për një çështje të menduar deri dje të mbyllur. Nëpërmjet avokatit, dy të pandehurve Sokol Koçiu dhe Arben Bërballa u është komunikuar përfundimi i hetimeve në Itali, për trafik droge, të dyshuar se e kanë realizuar 13 vjet më parë. Drejtësia italiane kërkon komunikimin e akuzës dhe marrjen në pyetje nga pala shqiptare të dy të pandehurve, por këta të fundit pretendojnë se nuk janë të detyruar të japin dëshmi për një çështje që i ka mbajtur në burg për vite me radhë në Shqipëri. Madje, ata e konsiderojnë si reagim të palës italiane për padinë e tyre në Strasburg, në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Pak ditë më parë, drejtësia italiane, pasi ka përfunduar hetimet për të ashtuquajturën procesi “Kokaina”, dhe kishte dërguar dosjen në gjykatë, i dërgoi palës shqiptare një letër-porosi ku kërkohej njoftimi i të pandehurve rreth fillimit të procesit. Sipas letër-porosisë, nën akuzë janë vënë edhe dy shtetas shqiptarë, Arben Përballa dhe Sokol Koçiu, të dënuar nga drejtësia shqiptare, ndërsa tashmë ndodhen të lirë, për shkak të përfundimit të masës së dënimit. Prokuroria e qytetit të Barit në Itali u ka komunikuar të pandehurve akuzat e trafikut të narkotikëve dhe të organizatës kriminale, ndërsa në aktakuzë ndodhen edhe Koçiu e Përballa, të dënuar më parë për këto akuza në vendin tonë. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës thanë në fillim të majit se prokuroria ka kërkuar ekzekutimin e letër-porosisë së Prokurorisë së Barit. çështja është regjistruar në gjykatën e kryeqytetit, ndërsa gjatë kësaj kohe ishte hedhur edhe shorti për të përcaktuar trupin gjykues. Nga shorti rezultoi se gjyqtari Gerd Hoxha do t’i komunikonte aktakuzën Arben Bërballës dhe Sokol Koçiut, e ngritur nga Prokuroria e Barit në Itali. Sipas togave të zeza, letër-porosia e ardhur nga Italia përmbante të gjitha faktet e akuzës kundrejt dy shtetasve shqiptarë, madje edhe përgjimet dhe hetimet disavjeçare për këta persona.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›