E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orikum, ish-punëtorët e NB-së përplasen me policinë

Pronat Protestuesit arritën të hynin me forcë në korridorin e bashkisë së qytetit

Përplasje mes policisë dhe ish-punëtorëve të NB-së në Orikum. Mëngjesin e djeshëm është zhvilluar protesta e radhës së banorëve dhe ish-punëtorëve të NB-së së Orikumit për të kërkuar njohjen e pronësisë dhe ndaluar atë që ata e quajnë “grabitje” të tokave të tyre. Por sapo janë mbledhur përpara sheshit të Bashkisë së Orikumit, protestuesit kanë tentuar të futen në ambientet e brendshme, për të takuar kreun vendor, Kanan Braho. Ata janë ndeshur me kordonin e policisë që ishte vendosur në hyrje të derës kryesore të bashkisë. Protestuesit kanë mundur të çajnë kordonin e krijuar nga policia, duke u konfrontuar fizikisht dhe janë futur deri në korridorin kryesor të bashkisë, por pa mundur të ngjiten në katin e dytë të ndërtesës, ku ndodhet zyra e kryetarit të bashkisë. Ata janë nxjerrë jashtë ambienteve të bashkisë nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Ndërkaq, për incidentin e krijuar me uniformat blu, sipas policisë nuk ka asnjë të shoqëruar në komisariat nga protestuesit.

Protestuesit me banderola në duar i kanë bërë thirrje qeverisë “Berisha” dhe kryetarit të Bashkisë së Orikumit që t’u japin zgjidhje kërkesave të tyre, por mbi të gjitha t’u japin mundësinë e marrjes së certifikatës së pronësisë, pasi tokat në Orikum u takojnë orikumasve, dukatave, tragjasjotëve dhe ish-punëtorëve të NB-së që i kanë kthyer këto toka nga moçalishte në toka bujqësore. “Kryeministri Berisha duhet të vijë në Orikum të shohë korrupsionin e pushtetit lokal dhe t’i japë zgjidhje dhe të zhdukë njëherë e mirë mafien e tokave që i ka shtrirë shumë duart në Orikum në grabitjen e tyre”, kanë thënë të acaruar protestuesit. Më pas ata janë shpërndarë duke paralajmëruar sërish protesta në ditët në vazhdim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›