Bashkia, kredi 200 milionë në bankë
FIER - Një shumë prej 200 milionë lekësh do të marrë borxh Bashkia e Fierit nga bankat. Këtë fakt e pohoi vetë kryebashkiaku Baftjar Zeqaj, i cili e justifikoi kërkesën e huasë me faktin që buxheti i Bashkisë këtë vit ka minus këtë shumë parash, në krahasim me atë të një viti më parë. Sipas kryebashkiakut boshllëku i krijuar nga mosakordimi i fondit të qeverisë në shumën prej 200 milionë lekësh mund të mbushet vetëm nëpërmjet borxhit që do të marrë kjo bashki nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër kryebashkiaku Zeqaj është shprehur se kalimi i buxhetit në Këshillin Bashkiak do të ndjekë një rrjedhë normale pavarësisht numrit të kartonëve të maxhorancës së re, PD-LSI. "është një buxhet i hapur. Jemi minus 200 milionë lekë dhe kjo do të thotë se rrezikoheshin të mos realizoheshin shumë projekte për vitin 2010, të cilat kanë nisur qysh nga viti i kaluar. Ndaj, ne, pamë si të vetmen zgjidhje marrjen e një kredie nga bankat e nivelit të dytë, pasi këto projekte kanë nisur të zbatohen nga muaji mars i vitit 2009 dhe tashmë janë të legjitimuara", u shpreh Zeqaj. Ai shton se, "së bashku me këshillin e bashkisë do të bëjmë më të mirën për komunitetin. Siç e dimë dhe të ardhurat vendore do të na cungohen, pasi një pjesë e biznesit nuk do të jetë i detyruar ta derdhë taksën tek ne si qeverisje vendore". Disa nga pikat kryesore që parashikohen të realizohen me kredinë e re janë: parashikimi i urës së re në unazën e qytetit, ndërtimi i aksit rrugor me 4 korsi nga hekurudha drejt jugut të qytetit të Fierit, ndërtimi i unazës së Fierit, ndërtimin e banesave sociale, plotësimin e projektit të Bankës Botërore për lyerjen dhe sistemimin e trotuareve në Bulevardin kryesor të qytetit të Fierit, etj. m.r