E Shtunë, 31 Tetor 2026

Theu xhamat e policisë, në gjykatë 22-vjeçari

 Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit E.Musollari, i cili akuzohet se ka qëlluar me grusht dy punonjës policie dhe ka thyer xhamat e komisariatit nr.1 të Policisë në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, 22-vjeçari akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”, pasi gjatë ndalimit nga policia ka kundërshtuar punonjësit e rendit duke i qëlluar me grusht dy oficerë të grupit të gatshëm. Ngjarja ka ndodhur në 20 tetor 2009, në afërsi të lokal “Tymit” në rrugën “Gani Domi”. Sipas akuzës, rreth orës 01:20 pas mesnate punonjësit e patrullës së përgjithshme të policisë kanë hyrë në një lokal për të bërë disa verifikime. Sapo kanë ndeshur në tre të rinj, dy prej të cilëve shoqëronin të akuzuarin, policët u kanë kërkuar atyre dokumentet e identifikimit. Të rinjtë kanë pohuar se nuk kishin dokumente me vete ndërsa policia ka kërkuar t’i shoqërojë në komisariat. Të rinjtë kanë kundërshtuar veprimet e policisë, duke mos pranuar shoqërimin në komisariatin e policisë. Sipas akuzës, gjatë shoqërimit të të rinjve në makinë, njëri prej tyre, E.Musollari ka qëlluar dy oficerë të policisë, duke kthyer ngjarjen në përleshje. Efektivat e patrullës së përgjithshme kanë kërkuar përforcime dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektiva të tjerë që kanë bërë ndalimin e të rinjve. Pasi janë mbajtur disa orë në paraburgim, të rinjtë kanë qëlluar xhamat e dritareve të komisariatit duke i thyer ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›