Arrestohet banda e 11 vjedhjeve në lokale dhe banesa në Tiranë
TIRANE – Prangoset banda e vjedhjes së lokaleve. Policia e kryeqytetit pohoi dje se ka vënë në pranga 5 të rinj, banorë të Kamzës dhe rrethinave të saj, të cilët dyshohet të jenë autorë të 11 vjedhjeve të kryera në ditët e para të këtij viti. Ndërkohë, sipas policisë bashkëpunëtori i gjashtë i pesë të arrestuarve tashmë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Operacioni për prangosjen e tyre, i koduar “Mesnata” është kryer pas një hetimi 40-ditor nga agjentët e sektorit të vjedhjeve të pasuri në komisariatin numër tre të policisë së kryeqytetit. “Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autor të një sërë vjedhjesh lokalesh e banesash të ndodhura në këtë fillim viti, në Tiranë”, - pohoi dje policia. Zyrtarisht Policia e Tiranës pohoi se janë vënë në pranga 38-vjeçari kryeqytetas Arjan Fejzullari; 19-vjeçari Valter Vladi, lindur në Dibër dhe banues në Laknas, i dënuar gjashtë herë më parë për vjedhje; 28-vjeçari kryeqytetas Simon Thanasi, i dënuar në Greqi për shitje të lëndëve narkotike; si dhe Ilir Shehi, 32 vjeç, i dënuar dy herë për vjedhje dhe Ilir Zenko, 44 vjeç, i dënuar më parë për plagosje, të dy lindur dhe banues në fshatin Mëzez të Tiranës. Po kështu policia pohoi dje se tashmë ka bërë shpalljen në kërkim të bashkëpunëtorit të tyre, i cili tashmë është identifikuar por për arsye të hetimit nuk janë bërë publike gjenalitetet e tij. Policia pohoi dje se Arjan Fejzullahu u arrestua në sajë të posedimit të informacioneve mbi vendndodhjen e tij, i cili qëndronte i fshehur te disa të afërm në qytetin e Elbasanit, ndërsa 4 bashkëpunëtorët e tij u arrestuan teksa fshiheshin në Laprakë. Sipas bluve, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin pasi realizonin vjedhjet, sendet e marra i dërgonin në qytetin e Elbasanit në një pikë shumice, me synim shitjen dhe përfitimin monetar të tyre, sende të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Aktualisht policia pohon se ka dokumentuar tërësisht përfshirjen e gjashtë të akuzuarve në 11 vjedhje, ndërsa gjatë arrestimit të tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sërë sendesh të vjedhura; mjetet që përdornin për kryerjen e vjedhjeve: si kaçavidë, doreza, kapuç etj. Tashmë materialet e përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për “vjedhje në bashkëpunim”, ndërsa nga strukturat e hetimit të krimit po punohet intensivisht në drejtim të dokumentimit të tjerave vjedhjeve të automjeteve dhe të banesave, të realizuara nga ky grup kriminal, të realizuar në kohë e vende të ndryshme në Tiranë. Vjedhjet2 janar dyqan në Rrugën e Durrësit.5 janar dyqan në Laprakë.7 janar lokal në Kodër Kamëz.8 janar dyqan në Laprakë.10 janar dyqan në rrugën “Gjergj Legisi”.12 janar lokal në Kodër Kamëz.12 janar lokal në Kodër Kamëz.13 janar bar-kafe në Rrugën e Durrësit.20 janar lokal në rrugën “Pandi Dardha”.20 janar furrë buke në rrugën “Don Bosko”.21 janar lokal në rrugën “Lord Bajron”.