E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja e dy policive, Dega Ushtarake padit Bashkiakët

 BERAT – Përplasja mes dy policive, asaj Bashkiake dhe Ushtarake, gjatë prishjes së një muri rrethues do të përfundojë në gjykatë. Dega Ushtarake në Berat mësohet se ka hartuar padinë për veprimet e Policisë Bashkisë, e cila sipas saj ndërhyri duke mos marrë miratimin e drejtuesve. Kjo padi pritet të dorëzohet nesër në Gjykatën e Beratit, duke e çuar më tej konfliktin e krijuar paraditen e së premtes në këtë qytet. Prishja e rrethimit të Degës Ushtarake, në një sipërfaqe prej 116 metër katror, sipas drejtuesve të këtij institucioni duhet të bëhej pasi të merrej leja e tyre dhe jo papritur. Nga ana e saj, Policia Bashkiake pretendon se lajmërimi është bërë 6 muaj më parë, në momentin kur Këshilli Bashkiak vendosi spostimin në brendësi të murit, me qëllim kryerjen e investimit në rrugën që kalon pranë degës. Madje, bashkia pohoi se ka vënë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes, nga e cila ka marrë lejen për të ndërhyrë. Mungesa e informacionit të Degës Ushtarake prej zyrave qendrore në Tiranë, sipas bashkisë, ka sjellë dhe reagimin e së premtes. Rojet e Degës Ushtarake dolën me armë në duar në momentet kur fadroma po i afrohej godinës. Gjendja u qetësua vetëm me ndërhyrjen e Policisë së Rendit. Gjatë ditës së djeshme, puna për kryerjen e investimit ka nisur, duke u sheshuar zona, e cila do të jetë pjesë e rrugës që po zgjerohet.                          d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›