E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga doganierit, lejoi ushqimet kontrabandë

 GJIROKASTER - Kalimi kontrabandë i një kamioni me mallra ushqimore nga Greqia në Shqipëria përmes Kakavijës ka sjellë ndalimin e një punonjësi doganor dhe shpalljen në kërkim të një tjetri. Syrja Misiraj, 34 vjeç nga Fieri, punonjës dogane i kontrollit fizik në Doganën e Kakavijës, është ndaluar ndërsa ndodhej në krye të detyrës nga sektori i krimit ekonomiko-financiar në Gjirokastër. Dy ditë më parë, nga Dogana e Kakavijës, ka dalë pa kryer procedurat e zhdoganimit një kamion me targa TR 1880 R / TR 1882R, i cili vinte nga kryeqyteti grek me destinacionin final Tiranën. Mjeti transportues është bllokuar dhe kontrolluar nga uniformat blu të Policisë së Gjirokastrës, në hyrje të Tepelenës mbi bazën e informacioneve të marra se në bordin e tij ndodheshin mallra ushqimore kontrabandë, kryesisht oriz, konserva peshku, vaj bimor, pije alkoolike dhe freskuese, etj. Nga kontrolli i kryer në automjet, rezultoi se malli ishte i pashoqëruar me deklaratë zhdoganimi prej Doganës së Kakavijës dhe rrjedhimisht i gjithë malli i transportuar prej Greqisë, u sekuestrua si dhe u arrestua shoferi. Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe proceduriale të dy ditëve më parë, rezultoi se në këtë ngjarje ishin të përfshirë dy punonjës doganorë, ndaj të cilëve u lëshua dhe fleta e arrestit.                                                                       p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›