E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet banda, grabiste me armë dhe vendoste tritol

 SARANDE/ SHPRESA DINEQyteti i Sarandës qetësohet nga seriali i grabitjeve me armë e maska dhe shpërthimet e eksplozivëve. Policia e qytetit, me anë të operacionit "Fshesa" ka vënë në pranga anëtarin e shtatë të një bande, që sipas saj ishte kthyer në makthin e qytetit muajt e fundit. Autori i fundit i identifikuar si bashkëpunëtor i këtij grupi është arrestuar dje. Sipas policisë, Fatjon Abazi, 21 vjeç, banor i lagjes nr.4 akuzohet për "vjedhje dhe shkatërrim të pronës me eksploziv, në bashkëpunim". Arrestimi i tij është bërë mëngjesin e djeshëm, në vazhdimësi të operacionit të koduar "Fshesa". Burimet policore bëjnë të ditur se Abazi është pjesë e një grupi kriminal të vetëquajtur "Djemtë e lagjes B13", 6 pjesëtarë të të cilit janë vënë në pranga në datat 27 tetor 2009 dhe 9 janar 2010. Ata janë G.çoçka, 22 vjeç, G.Zholi, 23 vjeç, E.Abazi, 22 vjeç, L.Kazo, 21 vjeç, V.Mehmeti, 17 vjeç, O.Abazi, 15 vjeç dhe së fundmi, Fatjon Abazi, 21 vjeç. Sipas burimeve policore, nga hetimet e kryera, ky grup kriminal funksiononte nën emrin "djemtë e B13-ës", ku ishin përfshirë të rinj nga lagjet nr.4 dhe "Baba Rexhepi" në Sarandë. Sipas policisë, anëtarët e tij funksiononin në mënyrë hierarkike, me kryetar, zëvendës dhe anëtarë të tjerë. Prej muajit maj 2009 e deri në janar 2010, qytetin e Sarandës e përfshiu një valë e madhe grabitjesh biznesesh, dhunime banesash e vjedhjesh me armë e maska, vendosje tritoli, etj. Ndër rastet e grabitjeve më të bujshme konsiderohen: vjedhja e 30 mijë euro syze tek "Optika", 20 mijë euro bizhuteri në një dyqan në pronësi të I.Sharrës, grabitja e dy motorëve të turistëve italianë para një hoteli në qendër të qytetit, grabitja e shumë bizneseve mbi portin detar, vendosja disa herë e eksplozivit në lagjet nr.4 e "Baba Rexhepi", vjedhje me armë në një familje biznesmeni dhe në një minimarket, etj. Fillimisht është identifikuar qysh në muajin qershor si pjesëmarrës në disa grabitje, 22-vjeçari Geard çoçka, i dënuar më parë për vjedhje, i cili u vu në pranga më 27 tetor 2009. Në atë kohë, bashkë me tre të tjerë dhunoi oficerin e policisë Roland Merko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›