Tiranë, 9 radarë “spiunë” për trafikun
Policia Rrugore do të vendosë nëntë radarë në pikat kyçe të Tiranës, për të mbikëqyrur trafikun e automjeteve. Pajisjet e monitorimit të trafikut rrugor kanë mbërritur nga jashtë shtetit pak ditë më parë, ndërsa pritet të vihen në funksionim brenda javës. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë një interviste në “Ora News”. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, radarët e policisë rrugore do të vendosen në pikat më problematike të trafikut në Tiranë, për të realizuar monitorimin e kundravajtjeve nga drejtuesit e mjeteve. Mënyra e funksionimit të pajisjeve në fjalë është e ngjashme me kontrollorët e trafikut rrugor në vendet evropiane, si dhe në disa vende të rajonit. Përmes kamerave të instaluar në kryqëzimin apo aksin rrugor, radarët fotografojnë çdo kundravajtje, si lëvizja në korsinë e gabuar, parkimet, shpejtësinë, etj, dhe bëjnë fotografimin dixhital të ngjarjes, duke e dërguar në njësinë qendrore. Në këtë mënyrë policia do të ketë mundësinë të ballafaqojë drejtuesit e mjeteve me shkeljen që kanë bërë në momentin e vendosjes së gjobave. Radarët “spiunë” Nga burime të policisë mësohet se efekti kryesor që pritet të japin radarët që do të vendosën në akset kryesore më problematike për trafikun në Tiranë, është evidentimi i shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve. Përmes filmimit dhe fotografimit, radarët do të evidentojnë çdo rast duke shmangur kështu mundësinë që efektiva të caktuar të tolerojnë. Po kështu radarët do të realizojnë monitorimin e plotë duke fiksuar njëherësh deri në 50 kundravajtje, duke shmangur mundësinë e kalimit pa u vënë re në momentin që polici rrugor është i angazhuar në një situatë. Ashpërsimi i gjobaveDrejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se do të propozohen ndryshime në Kodin Rrugor. Sipas tij, ndryshimet do të bëhen me qëllim ashpërsimin e masave me qëllim parandalimin e aksidenteve. Një prej ndryshimeve pritet të parashikojë dyfishimin e ndëshkimeve për drejtuesit e mjeteve që kanë pasur shkelje në vitin paraardhës. Po kështu, struktura e policisë rrugore pritet të ndryshojë pasi sipas reformës që pritet të zbatohet, policia rrugore do të ngrihet në rang Drejtorie më vete dhe do të ketë varësi direkte në Drejtorinë e Përgjithshme, duke dalë nga kompetenca e drejtorive të qarqeve. Task-Forca rrugoreNë Laprakë është ngritur dhe funksionon Task-Forca e policisë rrugore për kryeqytetin. Kjo qendër do të ketë në administrim radarët vëzhgues që pritet të vendosen në kryqëzimet dhe akset rrugore më problematike, sipas statistikave për aksidentet.