E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia largon subjektet tregtare nga rruga

Autori i Lajmit: red.
Bashkia e Tiranës ka marrë së fundmi një iniciativë për lirimin e hapësirave publike të zëna nga subjektet tregtare, në mënyrë të paligjshme dhe që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, ”kjo nismë konsiston në largimin e objekteve të ndryshme që subjektet tregtare nxjerrin në shitje, në lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht nga këto subjekte, largimin e reklamave të vëna nëpër shtylla, të posterave në mënyrë të paligjshme si edhe zënien e vendeve për parkime kur nuk është paguar taksa e posaçme e bashkisë”. Zona e parë ku është ndërhyrë për lirimin e hapësirave publike, është zona e Stacionit të Trenit, ku janë detyruar të gjitha subjektet tregtare, të largojnë objektet të cilat kanë zënë rrugën, duke përfshirë edhe baret me karriget nëpër trotuare, si edhe janë hequr të gjitha piketat e vendeve të parkimeve, kur nuk janë me pagesë. Nisma e Bashkisë Tiranë për lirimin e hapësirave publike do të vazhdojë gjatë gjithë muajit nëntor, duke ndërhyrë në të gjitha rrugët problematike të Tiranës.

Ky lajm është publikuar: 06/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›