E Diel, 1 Nëntor 2026

Reduktohen vizat për bashkim familjar në Gjermani,

Autori i Lajmit: red.
Që kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e ligjit të ri të imigrimit, numri i vizave për bashkim familjar që ka lëshuar ambasada gjermane në Prishtinë ka rënë në mënyrë drastike. Ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2007 në Gjermani erdhën afro 1800 kosovarë për t iu bashkangjitur bashkëshortëve, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pra një vit më vonë, ky numër u zvogëlua me afro 42 për qind, pra në gati 1000. Kjo shifër bëhet e ditur në një sqarim që qeveria gjermane i ka drejtuar Parlamentit me kërkesë të grupit parlamentar të së majtës. Sipas dokumentit që ende nuk është publikuar, por që e posedon Deutsche Welle në shqip, përfaqësitë gjermane në Kosovë dhe Tajlandë zënë vendin e parë për nga reduktimi i vizave për bashkim familjar. Ekspertët thonë se kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e ligjit për imigrimin, varianti më i ri i të cilit hyri në fuqi në verën e vitit të kaluar. Si kusht për dhënien e vizës, bashkëshortëve të të huajve u është vënë dëshmia e njohurive të gjuhës gjermane. Një parakusht tjetër që prek edhe shumë shtetas të Kosovës është se bashkëshortja duhet të ketë arritur moshën 18- vjeçare. Këto dy rregulla qeveria e koalicionit të madh i vendosi me qëllim që të parandalonte fenomenin e martesave të detyruara dhe të nxiste dëshirën e bashkëshortëve për t u integruar në Gjermani. Grupi i së majtës dhe shumë organizata joqeveritare i kritikojnë ato. Në një gjykim që zyra e deputetes së majtë, Sevim Dagdelen, i bën përgjigjes së qeverisë gjermane thuhet ndër të tjera se këto shifra tregojnë se ndryshimi i ligjit jo vetëm që e zvarrit deri në tre muaj bashkimin familjar, por ai e redukton atë në një masë tepër të konsiderueshme. Bedri Xhafa, nga Agjencioni Për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë, që kryen testet e gjuhës në Prishtinë, i tha Deutsche Welles se ka raste kur zvarritjet çojnë deri në ndarjen e çifteve.
Ky lajm është publikuar: 06/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›