E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpronësimet në Rrugën e Barrikadave kanë bllokuar projektin e sheshit ”Skënderbej”

Autori i Lajmit: red.
Projekti për sheshin ”Skënderbej”, megjithëse ka kohë që është përfunduar nuk po vihet në zbatim. Shkak për këtë janë bërë shpronësimet, të cilat nuk po nisin. Burime të Bashkisë Tiranë thanë dje se ”Projekti i Unazës së Vogël”, megjithëse ka arritur në segmentin e tretë të zbatimit të tij ka probleme, sepse ende nuk është arritur shpronësimi i zonës që lidh Rrugën e Barrikadave me zonën prapa Muzeut Kombëtar dhe kjo vonesë jo vetëm që po vështirëson punimet për Unazën e Vogël, por ka stopuar edhe fillimin e Projektit të Sheshit ”Skënderbej”. Po sipas këtyre burimeve, ”Nëse nuk shpronësohen këto zona nga ana e institucioneve përkatëse, nuk lirohet rruga tek ky segment i Unazës së Vogël nga ku duhet të kalojnë automjetet, sepse fillimi i punimeve në sheshin "Skënderbej," do të paralizonte krejtësisht trafikun”. Projekti i sheshit ”Skënderbej” duhet të kishte filluar nga zbatimi që në fillim të muajit nëntor dhe deri tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv, që të nisin procedurat e shpronësimeve, bënë të ditur burime të Bshkisë së Tiranës. Ndërkohë Projekti i Unazës së Vogël ka arritur në segmentin që lidh Rrugën e Kavajës me kryqëzimin e rrugës ”Myslim Shyri” dhe në segmentin tjetër te ”Dëshmorët e Kombit”. Sipas burimeve të Bashkisë, me ndryshimin e projektit, sepse u zbuluan gjurmët e Kalasë së Vjetër të Tiranës, segmenti i Unazës nuk do të kthehet më te rruga ”Murat Toptani”, po do të vazhdojë drejt në urën e re që po ndërtohet te ”Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Aktualisht, theksuan burimet e Bashkisë së Tiranës, po punohet në rrugën ”Punëtorët e Rilindjes”, pranë kryqëzimit të "Ushtarit të Panjohur".
Ky lajm është publikuar: 06/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›