Bashkia mbush kryeqytetin me plehrat e Sharrës, policia bllokon dy kamionë
Policia e kryeqytetit ka bllokuar dy kamionë të mbushur me plehra të marra nga pika e grumbullit të Sharrës. Sipas burimeve zyrtare, pas një informacioni të marrë nëpërmjet telefonit, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë në “Kombinat”, kanë ndaluar dy automjete tip “Benz” kamion me targa TR 1874 I dhe TR 1882 I. Nga verifikimet e bëra në vend u konstatua se këto dy automjete ishin mjete të Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit Nr.1 Tiranë, dhe kishin ngarkuar disa thasë plastike me plehra dhe pretendonin se po i dërgonin në ambientet e ndërmarrjes së tyre. Ndërkohë që nuk dihet se pse këta kamionë të mbushur me plehra dhe të marrë nga pika e grumbullimit të Sharrës, po risilleshin sërish në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare, nga verifikimi i dokumentacionit të mjeteve rezultoi se të dy këto mjete kishin mangësi në dokumentacion. Dyshohet se këta thasë me plehra do hidheshin përpara Kryeministrisë. Në këto kushte këto mjete bashkë me drejtuesit e tyre u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë. Pas pyetjes dhe kryerjes së procedurave administrative, dy mjetet e mësipërme janë bllokuar administrativisht në pikën e bllokimit të policisë, ndërsa drejtuesit e tyre janë lënë të lirë. Gjatë marrjes në pyetje, drejtuesit e mjeteve kanë deklaruar se thasët me plehra i kanë marrë në Sharrë, të cilat janë ngarkuar nga punëtorët e ndërmarrjes. Në Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë është paraqitur edhe drejtori i Ndërmarrjes, Irfan Dashi, i cili ka deklaruar se punëtorët e ndërmarrjes se tij jashtë orarit zyrtar i kanë përgatitur thasët me plehra, të cilat do t’i transportonin në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit Nr.1 Tiranë. Ai ka deklaruar se për këtë veprim është urdhëruar nga eprorët e tij. Policia shoqëroi në komisariatin e policisë edhe 20 punonjës të kësaj ndërmarrjeje, që kanë përgatitur dhe ngarkuar në automjete thasët me plehra. Këta shtetas, pasi janë pyetur procedurialisht janë lënë të lirë. Hetuesit kanë përgatitur materialet, të cilat i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit.