Operacioni ; “Stuhia”, policia sekuestron 340 kg marijuanë nga Lazarati
Policia e Gjirokastrës sekuestroi një sasi prej 340 kilogramë marijuanë dhe arrestoi një 27-vjeçar, i cili po transportonte lëndën narkotike me një furgon. Në prangat e uniformave blu ra shtetasi Niko Fuqi, lindur dhe banues në fshatin Andon Poçi, të Komunës Odrie të rrethit Gjirokastër. Droga ishte e vendosur në disa thasë plastmasi, si edhe në çanta shpine. Sipas burimeve nga grupi hetimor, droga vinte nga Lazarati dhe dërgohej për në Sarandë. Policia shoqëroi në komisariat drejtuesin e mjetit, ndërkohë që po vazhdon nga puna për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik të lëndëve narkotike. Punonjësit e policisë së Gjirokastrës morën informacione në rrugë operative për një automjet, i cili ishte duke transportuar një sasi të madhe lënde narkotike me një automjet furgon nga Lazarati në drejtim të Sarandës. Menjëherë, agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar rreth orës 20:40, organizuan punën për ndjekjen e këtij automjeti, me qëllim për të kapur edhe personin pritës të kësaj lënde narkotike. Sipas burimeve nga policia, ndjekja e automjetit “Benz” furgon, ka vazhduar deri në vendin e quajtur Ura e Gajdarit në hyrje të qytetit të Sarandës, pasi drejtuesi i automjetit ka kuptuar që po e ndiqte policia dhe është mundur të largohej me shpejtësi për t’i shpëtuar policisë. Nisur nga kjo, Policia e Gjirokastrës kërkoi ndihmën e Policisë së Komisariatit të Sarandës, me qëllim bllokimin e rrugës dhe kanë vijuar ndjekjen e këtij automjeti. Më pas, specialistët dhe agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër bënë të mundur bllokimin e automjetit tip “Benz” furgon me targa GJ 1341 B, i cili drejtohej nga shtetasi Niko Fuqi, i datëlindjes 1983, lindur dhe banues në fshatin Andon Poçi, të Komunës Odrie të rrethit Gjirokastër. Nga kontrolli dhe këqyrja e bërë nga grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër automjetit të bllokuar, u konstatua se në brendësi të automjetit ndodheshin 10 çanta shpine me ngjyrë të zezë si dhe 13 thasë plasmasi, ku brenda tyre kishte pako në formë cilindrike të mbështjella me natriban të mbushura me lëndë narkotike marijuanë. Sipas burimeve nga policia, sasia e drogës së kapur është rreth 340 kilogramë marijuanë e presuar. Sipas policisë, 26-vjeçari u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit.