E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjerimi i mundimit që fsheh të vërtetën



Denoncimi me tone të forta që Kryeministri i bëri personalitetit dhe modelit politik të Ramës, tronditi në radhë të parë vet Ramën dhe më pas ata që e ndjekin dhe që kanë zgjedhur të jenë pjesë e projektit të tij politik. Pikërisht në kulm të efektit si prej droge të shkaktuar nga vetëmashtrimi mediatik për gjoja mitingun e “njëqind mijë protestuesve”, të cilën e nisi t’ua shiste të tjerëve dhe ashtu si shpërndarësit fatkeqë të drogës që e provojnë edhe vetë dhe përfundojnë të varur, pra pikërisht kur iu duk se i kish vënë punët përpara, Rama u zu në befasi.

Ndonëse denoncimet ishin të forta, fillimisht denoncimi i problemeve vetjake që i kanë dhënë formë personalitetit të tij dhe më pas për problemet e drejtimit të bashkisë dhe Partisë Socialiste, të cilat i kanë dhënë formë modelit të tij politik, reagimi i çoroditur provon edhe një herë mentalitetin foshnjor që Rama shfaq në politikë. Ashtu si fëmijët e kërkojnë një gjë me klithma “tani dhe këtu” apo si fëmijët që duan të luajnë me më të rriturit dhe presin që t’i lënë të fitojnë, Rama kërkon pushtetin apo kërkon të luajë fort dhe kërkon t’ia lënë lojën ta fitojë. Thjesht fare, doli në zgjedhje dhe humbi, por tani thërret “e dua pushtetin tani dhe këtu”. Filloi lojën e bojkotit, fillon të nanuritet në ëndrrën revolucionare t’i sulet dhe t’i rrëzojë, pasi nuk i ka njohur, zgjedhjet, Parlamentin e qeverinë dhe pret ta lënë ta fitojë këtë lojë që e luan pa asnjë rregull. Pse?! Se është i vogël?!

Që reagimet e tij dhe të mbrojtësve ishin të çoroditura, kjo duket nga shumë aspekte të ligjërimit dhe pozicioneve politike që ai po i ndërron çdo ditë, por mbi të gjitha, në paaftësinë për të artikuluar një argument të vetëm e të qartë politik. Daljet e tij në publik ndërruan nga gjoja qetësia dhe shpërfillja, në fjalime të gjata patetike, ku zor se mësoje qoftë edhe një të vërtetë. Qëndrimi i tij dhe i të tijve lëvizi nga “ultimatum” i popullit të opozitës në “kohë për reflektim”. Nga dishepulli i etikës edhe mbi të vërtetën, në kalemxhiun që tjerr lesh për një orë dhe s’thotë qoftë edhe një fakt, qoftë edhe një emër. Më kulmuesja, nga i denoncuar për dosjet e lejeve të ndërtimit, në denoncues i dosjeve të tij të ndërtimit. E vetmja keqardhje e sinqertë që ndiej kur e dëgjoj, është se kemi humbur një pamfletist me penë të shkathët për të fituar asgjë më shumë se një fëmijë më shumë në politikë. Fjalimet e tij të gjata më krijojnë bindjen se edhe ai vetë nga jetët e shumta që ka zgjedhur të jetojë, ka dobësi më shumë për atë të shkrimtarit mediokër.

Edhe ata që janë përfshirë në mbrojtjen e personalitetit dhe politikës së Ramës shfaqin të njëjtin konfuzion. Konfuzion që ndihet qartë edhe në debatin e politikanëve, atyre që rrinë rreth politikës apo edhe qytetarëve të thjeshtë.

Edhe pse ligjërimi i Ramës dhe i politikanëve rreth tij mbetet konfuz, nëse i dhanë apo jo ultimatum apo kohë për reflektim mazhorancës, njerëzit, përfshi edhe popullin e vërtetë opozitar, janë të shqetësuar dhe hapur nuk e miratojnë këtë lojë luftash. Mjaft qytetarë të majtë, deri edhe të angazhuar politikisht në krahun e majtë, thonë se nuk është normale që opozita nuk hyn në Parlament, nuk është normale që opozita po e ngre litarin kaq fort, duke sfiduar institucionet dhe po mundohet t’u kujtojë njerëzve se zgjidhja finale është përmbysja, afërsisht si më ‘97. Dhe s’ka si të jetë ndryshe. Askush nuk do të pranonte që për tekat politike të liderit të opozitës të tulaten dhe të presin më të keqen. Pas kaq vjetësh që ndërtojnë jetën dhe mirëqenien e tyre të pranojnë aventurën e përmbysjes dhe shkatërrimit. Askush nuk do ta mëshirojë për këtë projekt, edhe pse ligjërimi konfuz përpiqet ta fshehë. Njerëzit pas këtij konfuzioni të ligjërimit kuptojnë qartë verbërinë e tij për pushtet dhe njëherësh pafuqinë e tij.

Edhe pse ligjërimi i Ramës dhe i politikanëve rreth tij mbetet konfuz, nëse kishte apo jo një dilemë etike për stilin dhe vendin ku u shpallën denoncimet e forta mbi personalitetin e tij vetjak dhe politik, njerëzit, përfshi edhe popullin e opozitës, janë të shqetësuar për të vërtetat që dëgjojnë dhe dukshëm nuk i miratojnë ato. Për një sqarim më në hollësi, fillimisht mbrojtja e tij tentoi të përdorte etikën si vendstrehim si dhe gjoja qetësinë me klas, por nuk kaloi shumë dhe në vend të përgjigjej për të vërtetat mbi të doli nga “klasi”, doli nga “qetësia” dhe bëri letërsinë më të gjatë politike pa një fakt, pa një të vërtetë, por me shumë figura letrare dhe sidomos epitete. Shumë njerëz mund të jenë ndikuar nga fakti se folës nga opozita u shprehen se nuk është etike që këto gjëra të thuhen në publik. Etika nuk i shërbeu të mbulojë historitë vetjake dhe sjelljet politike. Njerëzit i dinë shumë mirë se nuk flitet për jetën private të Edit që ka shtëpinë ke NPV-ja, por të Edit që mëton të marrë në dorë shtëpinë tonë të përbashkët. Njerëzit e dinë shumë mirë se Kuvendi nuk është tempull i leksikut dhe as tempull i censurës. Është e kundërta. Kuvendi është tempull i lirisë dhe i të vërtetës. Konfuzioni i ligjërimit të Ramës dhe politikanëve e folësve rreth tij që në një moment e kërkuan etikën si strehim dhe më pas e harruan u tregon qartë njerëzve se dishepujt e etikës e duan atë si rrënim të të vërtetës dhe e lënë atë kur duan të prodhojnë jot ë vërtetën.

Ligjërimi, por mbi të gjitha qëndrimi i Ramës dhe i ndihmësve të tij është më shumë se i çoroditur, për aspektin më sensitiv dhe më problematik të karrierës së tij në drejtim të bashkisë dhe partisë. Kryeministri denoncoi abuzimet me lejet e ndërtimit të kryera nga bashkia dhe Rama, pasi fillimisht merr në mbrojtje biznesmenët e tij, hedh një hap tjetër denoncon vetveten. Përpjekja është e pastër - të relativizohet pasha e denoncimeve. Por, kë denoncon? Shkeljet e tij dhe të ndihmësve të tij. Denoncimet janë konkrete me emra firmash dhe sipërfaqe ndërtimi. Ndërsa Ndihmësit e Ramës na japin numrin e dosjeve që po i dërgojnë prokurorisë. Konfuz e të çoroditur nuk japin asnjë përgjigje për denoncimin. Njerëzit kanë të drejtë të pyesin kush do mbajë përgjegjësi ligjore për faktin se 7 firma, pronarët e të cilave janë vetë apo kanë pjesëtarët e familjeve në grupin parlamentar socialist, qartazi të identifikuar si prurje e Ramës në parti, kanë marrë leje ndërtimi për sipërfaqe më të madhe se të gjithë firmat e tjera të marra së bashku. Njerëzit kanë të drejtë të dinë se kush do të mbajë përgjegjësi, qoftë edhe ligjore, për deformimin e tregut të ndërtimit nga ata ndërtues që ua marrin pronarëve tokat jo në kushte tregu por nën avantazhin e aksesit që kanë tek Rama. Aq e vërtetë është kjo sa sot askush nuk kërkon të gjejë arkitekt dhe ndërtues të zot, askush që ka një copë tokë nuk kërkon të ngrejë pazarin e përqindjeve si bashkinvestitor, por vetëm pyet, kush ma nxjerr lejen. Njerëzit duan të dinë se kush mban përgjegjësi ligjore për faktin se bashkia e Tiranës që mban rekordin e kohëzgjatjes mesatare për një leje me më shumë se një vit, lejet për këtë 7-she i jep në kohë rrufe. Prishja dhe mungesa e transparencës së radhës në trajtimin e kërkesave për leje është abuzim dhe ndëshkohet nga ligji. Denoncimet që bën Rama dhe ndihmësit e tij nuk do mund të krijojnë konfuzion strehues për të vërtetën. Njerëzit e dinë se procesi i lejeve vetëm miratimin përfundimtar ka në KRT, projektet kalojnë në zyrat teknike të bashkisë dhe tashmë ata po denoncojnë veten.

Me çoroditjen e pafund dhe konfuzionin që shkakton ca nga paniku e ca nga taktika, si në rastin e denoncimit për lejet, Rama do ta ketë të pamundur t’u hedhë hi syve popullit opozitar, të cilët kanë votuar deputetë që janë të lidhur me aferat e ndërtimit dhe të tjera dhe ta nxisë në luftën e vet finale. Socialistët më pak se çdo forcë tjetër do t’ia falin faktin që në grupin e ri parlamentar një e treta janë milionerë, që edhe në rast se i gjykojmë për një moment të pastër janë krejt mish i huaj për kulturën dhe politikën e majtë, por natyrisht janë mishi dhe gjaku i pushtetit të Ramës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›