E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, nis puna për lulishten prapa Pallatit të Kulturës

Basha, dje gjatë inspektimit të punimeve te Pallati i Kulturës

Bashkia e Tiranës kthen në hapësira të gjelbra edhe sipërfaqet te blloku Don Bosko e Ali Demi

Kryebashkiaku Basha: Nuk do të cenohet prona private e qytetarëve.

Sipërfaqja pas Pallatit të Kulturës, e njohur si ish-gropa e Hajdin Sejdisë, do të kthehet në lulishte për qytetarët. Në këtë hapësirë do të mbillen rreth 150 pemë, do të vendosen 66 stola, do të ketë ndriçim dhe do të vendosen dy çezma. Po kështu, e gjithë pjesa rrethuese e objektit të kultit të bektashinjve do të bëhet me kangjella, sikundër do të sistemohet edhe parkimi aktual që ndodhet në këtë sipërfaqe. Punimet po kryhen me fondet e Bashkisë së Tiranës nga Ndërmarrja Numër 1 e saj. Bashkia e Tiranës nisi dje projektin për rikualifikimin urban të disa zonave të kryeqytetit. Janë parashikuar ndërhyrje edhe në zonën e Don Boskos dhe në një bllok banimi në rrugën Ali Demi.  Kryebashkiaku Basha inspektoi dje punimet që po kryhen te Pallati i Kulturës. Sot ka filluar puna për kthimin e kësaj hapësire në një hapësirë çlodhëse të gjelbër. Ky është një hap i vogël për ta bërë Tiranën një qytet ku punohet e jetohet më mirë dhe shijohet më mirë jeta. Projekte të mëdha po planifikohen në kuadër të planit urbanistik dhe projekteve strategjike, të cilat do tu nënshtrohen procedurave të konkurrimit, por ndërkohë ne do të ecim me projekte të tilla, siç i quajta më parë, hapa të tillë të vegjël, por domethënës, për të përmirësuar cilësinë e jetës në të gjithë qytetin, tha Basha. Sipas tij, rikualifikimi i hapësirës publike që do të kryhet te zona e Don Boskos zë një sipërfaqe prej 2400 metrash katrorë. Edhe në këtë hapësirë publike do të mbillen pemë, do të vendosen 55 stola, do të ketë ndriçim dhe çezma uji. Sipërfaqja që do të rikualifikohet në zonën e Ali Demit i përket një blloku banimi dhe ka një sipërfaqe prej 14 mijë metrash katrorë. Edhe në këtë hapësirë do të mbillen rreth 60 pemë dhe do të vendosen 40 stola. Po kështu, janë identifikuar dhe pritet të përfundojnë projektet edhe për hapësira të tjera publike, të cilat do të shndërrohen në hapësira të gjelbra, për tu vënë në shërbim të qytetarëve. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, tha se në asnjë rast nuk cenohet e drejta e pronës, sikundër shprehu angazhimin e tij që në çdo rast, ajo do të zgjidhet sipas ligjit. Do të zgjidhet sipas ligjit dhe asgjë nuk do të paragjykojë të drejtat e pronarëve, në asnjë cep të qytetit, duke përfshirë edhe planin urbanistik, i cili në qendër të tij do të ketë respektimin e të drejtave të pronarëve, por ndërkohë nuk mund të rrimë e të shikojmë se si pjesë të tëra të hapësirave publike degjenerojnë nga dita në ditë. Ju e mbani mend. Kjo ka qenë një zonë e ndaluar për një kohë të gjatë. Kjo kuotë ska ekzistuar sepse këtu ka qenë një gropë famëkeqe, tha Basha. Sipas tij, edhe pas mbylljes dhe rehabilitimit të pjesshëm, situata nuk ndryshoi për vite me radhë. Tani është e rëndësishme që brenda mundësive tona, ne në çdo hapësirë të ndërmarrim hapa, të cilët do të përmirësojnë fizionominë qytetare të lagjeve tona, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve, do ta bëjnë qytetin më të jetueshëm, më të mirë, ku të gjejnë hapësira çlodhëse të gjithë qytetarët e Tiranës dhe kushdo që vjen për të shijuar këtë qytet, në mënyrë të përditshme apo të përjavshme, tha Basha.

Lulishtja pas Pallatit te Kultures
Do të mbillen  150 pemë
Do të vendosen 66 stola
Do të ketë ndriçim
Do të vendosen dy çezma
Blloku Ali Demi
Sipërfaqja prej 14 mijë metrash katrorë
Do të mbillen rreth 60 pemë
Do të vendosen 40 stola.
Blloku Don Bosko
Sipërfaqja 2400 metra katrorë
Do të mbillen pemë
Do të vendosen 55 stola
Do të ketë ndriçim dhe çezma uji

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›