E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, pikët që duhen për të marrë notë maksimale

Si do ndahen pyetjet dhe ku duhet të përqendrohen kandidatët.

Vlerësimi, 3 herë më i lartë për pyetjet me zhvillim.

Për tu vlerësuar maksimalisht në provimet e Maturës Shtetërore, një maturant duhet të grumbullojë 180 pikë në total. Prej tyre, 100 duhet ti marrë në provimet me detyrim dhe 80, ose 120 pikë, në varësi të numrit të lëndëve që ka zgjedhur maturanti. Për herë të parë këtë vit ata kanë mundësi të kenë si preferenca tri lëndë me zgjedhje. Kjo e fundit është fakultative. Në këtë mënyrë, duke ditur peshën që do të ketë çdo provim në vlerësimin përfundimtar, maturantët do të dinë se ku të përqendrohen më shumë. Ministria e Arsimit ka parashikuar më shumë pyetje për provimet me detyrim dhe, si rezultat, më shumë kohë për ti plotësuar ato. Pyetjet me zhvillim do të vlerësohen shumë më tepër gjatë përllogaritjes së pikëve, ndërsa ato me alternativa do të kenë vetëm nga një pikë. Më shumë peshë në vlerësim do të kenë lëndët me detyrim, e specifikisht, pyetjet me zhvillim. Kështu, testi i provimeve të Maturës Shtetërore për Matematikën dhe Letërsinë do të kenë secili nga 25 pyetje. Nga totali i pyetjeve që do tu vihen në dispozicion maturantëve, 13 prej tyre do të jenë me alternativa. Duke pasur parasysh lehtësinë e tyre për vetë faktin se do të jenë me rrethim alternativ dhe sdo të duan shumë kohë, ato do të kenë 13 pikë. Pra, nga një pikë për çdo rrethim të saktë alternative. Ndërsa pyetjet me zhvillim do të kenë më shumë peshë në vlerësim. Kështu, edhe pse do të jenë vetëm 12 të tilla, ato do të kenë 37 pikë në dispozicion. Në total, një test i njërit prej provimeve me detyrim do të ketë 50 pikë. Duke pasur parasysh faktin se secili prej maturantëve do të japë dy provime me detyrim, atë të Matematikës dhe Letërsisë, atëherë i bie që në këto dy provime nxënësit duhet të marrin 100 pikë maksimale. Për provimet me zgjedhje është parashikuar një skemë tjetër vlerësimi. Nga 25 pyetje që ka pasur çdo vit një test, sivjet do të ketë 20 pyetje për çdo provim Z1 dhe Z2. Nga këto, 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative. Specialistët që kanë formuluar udhëzimin kanë ndjekur të njëjtën logjikë si dhe për provimet me detyrim, duke dhënë vlerësimin me një pikë për çdo provim me zgjedhje. Ndërsa më shumë pikë do të kenë pyetjet me zhvillim. Për 10 pyetje, specialistët kanë menduar 30 pikë në vlerësim. Pra, gjithsej, çdonjëra nga tezat e provimeve me zgjedhje do të ketë maksimalisht 40 pikë. Sipas përllogaritjeve, një maturant duhet të marrë 100 pikë për të dyja provimet me detyrim dhe 80 pikë për të dyja provimet me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2,5 orë.

Datat
Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit vendosi edhe datat e provimeve të maturës. Provimi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe është i pari që do të japin rreth 34 mijë maturantë. Në të gjithë vendin është caktuar data 2 qershor për të marrë pjesë në testim. I dyti me detyrim është Matematika. MASH ka vendosur që këtë vit ky provim të jepet më datë 16 qershor. Lëndët me zgjedhje do të jepen më 30 qershor..

Kur mbarten lëndët me zgjedhje
Nëse maturantët kanë mbartur vetëm një lëndë me zgjedhje nga Matura Shtetërore e para vitit 2012 dhe në tjetrën kanë marrë më pak se sa 4.50, atëherë në listën e lëndëve me zgjedhje duhet të qarkojnë një lëndë, në përputhje me kriterin e plotësimit të 8 krediteve. Nëse lënda që keni mbartur është gjuhë e huaj, lënda që do të qarkoni në listën e lëndëve me zgjedhje mund të jetë edhe gjuhë e huaj e dytë, por e ndryshme nga ajo që do të mbartni.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›