Bashkia nis mbjelljen e pemëve në disa zona të kryeqytetit
Bashkia e Tiranës nisi mbjelljen e pemëve në disa zona të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës nisi mbjelljen e mbi 50 pemëve të llojit rrap, në bulevardin “Zhan D’Ark”, me qëllim rritjen e përmasës së gjelbër dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Tiranë, si dhe në kuadër të iniciativës mjedisore “Një qytetar - një pemë”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, vlerësoi punën që është bërë ndër vite për shtimin e përmasës së gjelbër në qytet, e cila ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve në të gjithë komunitetin e Tiranës. Banka Kombëtare Tregtare ishte një nga kontribuueset që iu bashkua kësaj nisme. “Fillojmë mbjelljen e 3000 pemëve në qytet dhe 3000 të tjerave në Parkun Kombëtar të Liqenit, të cilat e çojnë në mbi 20 000 numrin e pemëve të mbjella gjatë këtyre viteve, duke forcuar ndjeshëm sipërfaqet e gjelbra”, - u shpreh Rama. Bashkia e Tiranës, përmes kësaj iniciative, synon gjithashtu të ndërgjegjësojë komunitetin kryeqytetas dhe njëkohësisht të sensibilizojë sipërmarrjet private e institucionet e ndryshme, për t’iu bashkuar punës dhe përpjekjeve të këtij institucioni, në funksion të përmirësimit të cilësisë së mjedisit. Pritet që mbjellja e pemëve të shtrihet edhe në Parkun Kombëtar, apo në qendër të Tiranës, e mjaft zona të tjera.
10 Dhjetor 2008