E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës, së shpejti studimi i parë kombëtar për punën e fëmijëve



Ministria e Punës do të publikojë së shpejti një studim për punën e fëmijëve, i cili pritet të sjellë një hartë mbi shtrirjen e fenomenit dhe të specifikave të tij. Realizimi i studimit të parë kombëtar për punën e fëmijëve është një projekt i përbashkët mes Ministrisë së Punës, INSTAT-it dhe ILO-s. Sipas drejtuesve të tre institucioneve të mësipërme, ky studim do t’i hapë rrugë nisjes së një programi kombëtar për mbrojtjen e fëmijëve nga puna dhe që do të përfshijë të gjitha strukturat në nivel qendror dhe lokal. Ministri i Punës, Anastas Duro, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e projektit të ILO-IPEC në Shqipëri, “Për eliminimin e punës së fëmijëve”, me qëllim njohjen me fazën e parë të projektit që po zbaton zyra e ILO-IPEC në Shqipëri dhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Punës si dhe fillimin e fazës së dytë të tij. Etleva Vërtopi, përfaqësuese e zyrës së programit “ILO-IPEC” në Shqipëri theksoi se fenomeni i punës së fëmijëve është një fenomen mjaft shqetësues jo vetëm për shoqëritë dhe qeveritë e vendeve në zhvillim, si Shqipëria, por edhe ato të vendeve të zhvilluara. Mbyllja e fazës së parë të projektit u konsiderua i suksesshëm nga komiteti kombëtar, i drejtuar nga ministri i Punës. Në takim u konsiderua e domosdoshme vazhdimi i projektit dhe shtrirja e tij edhe në rajone të tjera ku puna e fëmijëve është konsideruar si një fenomen tepër shqetësues. Këtë muaj fillon faza e dytë, e cila do të shtrihet në pesë rajone, ku edhe problemi i punës së fëmijëve është më i përhapur. Parashikohet që gjatë fazës së dytë të asistohen mbi 650 fëmijë, nga rreth 300 në fazën e parë, të cilët do të mbrohen nga puna për t’ju kthyer arsimit. Për herë të parë parashikohet që projekti të shtrihet në zonat rurale, ku fenomeni i punësimit të fëmijëve është më i përhapur dhe ku fëmijët rrezikohen jo vetëm nga shfrytëzimi në punë të rënda, por edhe nga braktisja e shkollës, trafikimi dhe abuzimi etj.

Në janar 2009 do të nisë projekti për punësimin e të rinjve

Projekti për punësimin e të rinjve në vendin tonë do të nisë të zbatohet në muajin e parë të vitit 2009. Sipas koordinatores rezidente të OKB-së në Shqipëri, Gulden Turkos-Cosslet, tashmë janë marrë masat për fillimin në janar 2009 të projektit për “Punësimin e të rinjve dhe emigracionin”. E pranishme në Konferencën Kombëtare kundër dhunës, koordinatorja rezidente e OKB-së në Shqipëri, Cosslet, veçoi tre projektet që agjencitë e OKB-së në Shqipëri po zbatojnë në bashkëpunim me Ministrinë e Punës. Ajo theksoi edhe se projekti i monitorimit të të drejtave të romëve vlerësohet nga ne shumë i rëndësishëm dhe është kjo arsyeja që Kombet e Bashkuara parashikojnë rritjen e fondeve në të ardhmen për këtë projekt në Shqipëri.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›