MSH, takim me donatorët për përcaktimin e objektivave për 2009-n
Ministria e Shëndetësisë zhvilloi një takim me donatorët për arritjet dhe përpjekjet që janë bërë për vitin 2008, si dhe objektivat për vitin e ardhshëm. Burime nga MSH-ja sqaruan se duke u njohur me disfatat dhe arritjet do të sigurohet mbështetja e duhur. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, gjatë këtij takimi, u shpreh se për sektorin shëndetësor është përpunuar një dokument strategjik dhe është e nevojshme që donatorëve t’u prezantohen arritjet dhe problemet. Sipas saj, prioritet për vitin e ardhshëm janë reformat në kujdesin parësor, të cilat duhen thelluar. “Ne synojmë të krijojmë një shërbim shëndetësor parësor autonom, pasi autonomia ka avantazhet e veta dhe ne jemi duke u mbështetur nga USAID-i për këtë projekt”, - u shpreh Sinoimeri. Një projekt i rëndësishëm me donatorët është dhe mbështetja që i jep UNICEF-i Ministrisë për sektorin e nënës dhe fëmijës. Projekti është në bashkëpunim me qeverinë spanjolle për zhvillim për shëndetin e nënës dhe fëmijës, që do të përqendrohet në shërbimin e materniteteve të rretheve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit obstetrik dhe për të porsalindurit. Gjithashtu, MSH-ja dhe ISKSH-ja mbështeten nga qeveria gjermane, nëpërmjet GTZ-së, për reformën financiare në sektorin spitalor.
QKSCA, konferencë për cilësinë e shërbimeve shëndetësore
Qendra Kombëtare e Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore do të organizojë një konferencë, ku do të shkëmbehen mendime për cilësinë e shërbimeve në qendrat shëndetësore. Objektivi i konferencës është këmbimi i përvojës dhe mendimeve, mësimi nga njëri-tjetri dhe krijimi i një rrjeti funksional bashkëpunimi brenda dhe jashtë vendit në fushën e cilësisë, sigurisë dhe kujdesit shëndetësor. Temat me interes që do të trajtohen në konferencë janë: pacientët në qendër të institucioneve shëndetësore, siguria dhe menaxhimi i rrezikut të kujdesit shëndetësor, identifikimi dhe përkrahja e praktikës më të mirë, si dhe standardet dhe monitorimi i cilësisë në spitale dhe kujdesin parësor. Kjo konferencë pritet të ketë vlera për të gjithë politikëbërësit, sikundër edhe menaxherët dhe vendimmarrësit ne institucionet shëndetësore, për profesionistet e shëndetësisë, për të gjithë ata që kryejnë shërbimet shëndetësore ne institucione, për pacientet dhe përfaqësuesit e tyre.
10 Dhjetor 2008